Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri, e ka vlerësuar si zhvillim tejet të rëndësishëm për Kosovën përfshirjen e saj në Bordin e Paqes të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, si dhe ftesën drejtuar Presidentes Vjosa Osmani për të marrë pjesë në këtë proces.
Haziri tha se konfirmimi i kësaj iniciative nga Presidenti Trump gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos përbën një lajm të madh për Kosovën dhe një dëshmi të mbështetjes së vazhdueshme amerikane ndaj vendit.
“Është lajm i madh për Kosovën, pjesëmarrja në iniciativën për paqe që Presidenti Trump sot në Davos e konfirmoi si proces i paqes. Kosova më shumë se çdo vend tjetër është falënderuese dhe mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Haziri për FrontOnline.
Ai theksoi se përfaqësimi i Kosovës në këtë nivel është i natyrshëm përmes Presidentes Osmani, duke rikujtuar rolin e saj në skenën ndërkombëtare gjatë viteve të fundit.
