Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj policit Bojan Jevtiq, i dyshuar për veprën penale të spiunazhit dhe armëmbajtje pa leje.
Seanca dëgjimore nis në orën 13 për shqyrtimin e kërkesës për paraburgim.
Kërkesa e prokurorit Bekim Kodraliu, e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, bazohet në dyshimin se Jevtiq, deri në ditën e arrestimit, ishte i rekrutuar nga Shërbimi Sekret Serb (BIA), iu ka ofruar atyre informata të ndjeshme për institucionet e sigurisë në Kosovë, përfshirë lëvizjet dhe planet operacionale të Policisë.
Në kërkesën e Prokurorisë, thuhet se Jevqit e ka dërguar te BIA planin e Policisë së Kosovës i quajtur “Shënjestër” i hartuar pas sulmit në Banjskë dhe të njëjtin dokument ia ka komunikuar zyrtarit të BIA-së, Sasha Çiric i njohur me nofkën “Çira”.
Jevtiq dyshohet po ashtu se zyrtarit të BIA-s ia ka mundësuar qasjen në kompjuterin zyrtar, duke rrezikuar policët, sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës.
Në shtëpi i janë gjetur edhe armë përfshirë një revole e tipit “Zastava” dhe 90 fishekë.
Në kërkesë thuhet se gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar pajisje elektronike, dokumente konfidenciale, armë, municion dhe shuma parash të padeklaruara: 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë dhe 600 franga zvicerane.