Sezoni turistik dimëror në Rugovë po vazhdon me fluks të madh vizitorësh, ndërsa fshati Bogë mbetet destinacioni më i kërkuar, falë pistës së skijimit që ndodhet në këtë zonë. Gjatë fundjavave, sigurimi i akomodimit në hotele dhe bujtina është pothuajse i pamundur pa rezervim paraprak, ndërsa ditët e tjera të javës janë dukshëm më të qeta.
E rrethuar nga male të larta dhe me kushte të favorshme natyrore, Boga vazhdon të jetë një vend tërheqës për pushime në çdo stinë, veçanërisht gjatë dimrit. Qendra e skijimit është e mbushur me vizitorë të të gjitha moshave, ndërsa organizimet e nxënësve dhe fëmijëve i japin gjallëri të veçantë kësaj zone turistike.
Vizitorët shprehen të kënaqur me përvojën e tyre, duke e cilësuar Bogën si një vend të përshtatshëm për rekreacion dimëror. Ata vlerësojnë organizimin dhe natyrën, ndonëse theksojnë se pista e skijimit mund të jetë e kufizuar për shkak të numrit të madh të vizitorëve.
“Jemi kënaq, kemi qëndruar gjatë gjithë ditës. Kemi ardh në mënyrë të organizuar me shkollë, shumë mirë kemi kaluar, vetëm pista e skijimit është pak e vogël”, tha Alea Hysenaj vizitore.
