Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në 245-vjetorin e themelimit të Teqesë së Frashërit. Përpara besimtarëve bektashinj, të cilët 5 shtatorin e kanë ditë pelegrinazhi, Presidenti nderoi vëllezërit Frashëri dhe kujtoi vlerat historike të kësaj teqeje për përhapjen e dijes, ruajtjen e identitetit shqiptar dhe çështjen kombëtare.
“Që nga viti 1781, kur ‘hodhi çatinë’ kjo teqe, ajo nuk shërbeu vetëm si vend lutjeje. Ajo u bë shtëpi e hapur për udhëtarin, vatër dijeje e kuvendimi dhe, mbi të gjitha, vatër e ndërgjegjes shqiptare”, deklaroi Begaj në fjalën përshëndetëse
Kreu i Shtetit kujtoi rolin e klerikëve bektashinj në momentet vendimtare për shqiptarët, nga Rilindja Kombëtare deri në ndërtimin e shtetit.
Duke u ndalur te filozofia dhe fryma e besimit, Presidenti theksoi kontributin e bektashinjve në bashkëjetesën fetare.
“Në ditët tona ne flasim shumë për harmoninë fetare, vërtet një vlerë e jashtëzakonshme, dhe shpesh rrezikojmë ta kthejmë atë në një formulë protokollare, por harmonia fetare shqiptare nuk lindi në tryeza zyrtare apo si çështje protokollare. Ajo u gatua në vende si kjo teqe, nga breza klerikësh e besimtarësh që ditën të ishin të përkushtuar në besimin e tyre dhe, njëkohësisht, të shihnin tek tjetri bashkëkombësin, fqinjin, vëllain e një gjaku e të një gjuhe”, u shpreh Begaj.
Presidenti nënvizoi se mesazhi i bektashizmit për urtësi, maturi dhe ndërtimin e urave mes njerëzve është sot po aq i gjallë dhe i nevojshëm sa dikur.
