Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ndoqi nga afër finalizimin e stërvitjes “Mburoja e Arbrit 2026” të Grup-batalionit të Këmbësorisë së Lehtë që u zhvillua në Bizë, i cili u certifikua “I aftë për mision” sipas standardeve të NATO-s.
Në fjalën përshëndetëse që mbajti në këtë ceremoni, Begaj e vlerësoi certifikimin si dëshmi të progresit të Forcave të Armatosura, përgatitjes së lartë, disiplinës e profesionalizmit dhe si një standard që duhet ruajtur.
“Sot, këtu në Bizë, ju dëshmuat jo vetëm përgatitje të lartë taktike, por edhe rezistencë e karakter të fortë ushtarak. Ju treguat aftësinë për të planifikuar, për të koordinuar dhe për të vepruar në një mjedis kompleks operacional”, tha Begaj, shkruan ATSh, transmeton KosovaPress.
Sipas tij, gatishmëria ushtarake ndërtohet çdo ditë përmes stërvitjes dhe profesionalizmit.
Si Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Begaj theksoi se në kontekstin e sfidave të sigurisë, përfshirë luftën në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme, kërcënimet hibride, sulmet kibernetike dhe dezinformimin, rreziqet prekin dhe rajonin tonë, ndaj nevojitet forcimi i mbrojtjes që të garantohet siguria kombëtare.
“Ringjallja e nacionalizmit, retorika përçarëse, tensionet etnike dhe përpjekjet e aktorëve keqdashës për të shfrytëzuar dobësitë tona mund të cenojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit. Pikërisht për këtë arsye, ne duhet të investojmë te siguria përpara se pasiguria të trokasë në dyert tona. Paqja nuk ruhet me pasivitet apo thjesht vetëm me deklarata. Ajo mbrohet me gatishmëri, stërvitje, me aleanca të qëndrueshme dhe me një Forcë të Armatosur të mirëpajisur dhe të përgatitur”, theksoi Begaj.

