Përderisa javën e kaluar autoritetet kosovare u ftuan të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar, përfshirë ndërtimin e urave në afërsi, tani Bashkimi Evropian vlerëson se ndërtimi i dy urave të reja në Mitrovicë paraqet një zhvillim me rëndësi, si në aspektin praktik, ashtu edhe në atë politik.
Zyrtarët në Bruksel theksojnë se çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut kërkon koordinim dhe dialog të ngushtë me të gjitha komunitetet e përfshira.
“Është thelbësore që projekte të tilla të pasqyrojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale”, thuhet në një deklaratë nga Zyra e shtypit e Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, BE-ja konfirmon se po vazhdon vlerësimin strukturor të urës kryesore të Mitrovicës, si edhe një studim urbanistik të zonës përreth, duke marrë parasysh kohën që ka kaluar që nga përfundimi i rivitalizimit të saj.