Bashkimi Evropian ka deklaruar se ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
Në deklaratën me shkrim të lëshuar lidhur me ndryshimet e këtij ligji, Bashkimi Evropian i bën thirrje Kosovës që t’i përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë, raporton rtk. Sipas BE-së, mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve duhet të garantohen.
Reagimi i sotëm me shkrim vjen një ditë pasi BE-ja shprehu shqetësim të thellë për votimin në Kuvend.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian shpjegoi gjithashtu pse nuk reagoi as kur u paralajmërua se ligji mund të ndryshohej, as pas leximit të parë.




