Përfshirja e Miroslav Lajcakut në dosjen Epstein nuk e komprometon procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin ai e ka ndërmjetësuar për pesë vjet. Kështu vlerësojnë zyrtarët evropianë, duke insistuar se lidhjet e Lajcakut nuk kanë pasur ndikim në dialog.
“Kur bëhet fjalë për dialogun si të tillë, ai mbetet i paprekur nga zhvillime të tilla. Dialogu është një proces i qëndrueshëm që nga viti 2011, i cili është në pronësi të palëve dhe udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë. Gjithashtu, dialogu mbikeqyret vazhdimisht nga shtetet anëtare”, tha Anitta Hipper, zëdhënëse e BE-së.
Në dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, emri i Lajçakut përmendet qindra herë. Sipas këtyre dokumenteve, në komunikimet me Jeffrey Epstein – i dënuar për krime seksuale – Lajçak ka diskutuar një sërë temash, nga çështje gjeopolitike deri te ato personale, përfshirë edhe gratë dhe vajzat e reja që, sipas dokumenteve, Epstein i ofronte në pronat e tij për persona të fuqishëm nga skena amerikane dhe ndërkombëtare, raporton RTK.
Në një nga komunikimet, Lajçak shprehet se e pëlqen ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov.
