Në shënimin e 26-vjetorit të themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka folur për sfidat me të cilat është përballur institucioni ndër vite, ndikimin e zhvillimeve politike në funksionimin e institucioneve të pavarura, si dhe angazhimin për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, raporton Ekonomia Online.
Qelaj, ka thënë se vitet e fundit kanë qenë sfiduese për funksionalizimin dhe konsolidimin e institucioneve, si pasojë e proceseve zgjedhore dhe zgjedhjeve të parakohshme.
Ai ka theksuar se kjo situatë ka ndikuar edhe në punën e institucioneve të pavarura, përfshirë Institucionin e Avokatit të Popullit, por pavarësisht vështirësive kanë vazhduar angazhimin për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
“Natyrisht vitet e fundit i kemi pasur bashkë me mangësi të konsolidimit të institucioneve ose funksionalizimit të tyre pas zgjedhjeve të parakohshme. Dhe natyrisht kjo ka ndikuar shumë edhe në punën e institucioneve të tjera, edhe në punën e institucioneve të pavarura, ndër të cilat është edhe Avokati i Popullit si institucion shumë i rëndësishëm, për më tepër si institucion i pavarur. Përkundër kësaj, ne kemi dalë që edhe në këtë periudhë të vështirë me e luajtur rolin tonë, me e treguar nivelin e lartë të profesionalizmit, përkushtimit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, natyrisht duke ushtruar kontrollin nga ana e autoriteteve publike sa herë që kemi pasur informacion, kërkesë, ankesë, apo çfarëdo forme informimi se mund të ketë problem në respektimin e të drejtave të njeriut. Dhe në këtë punë tonë të përditshme ne kemi treguar që nuk mjafton vetëm të jetë garantuar me Kushtetutë e me ligj mënyra e funksionimit tonë të rëndësisë së veçantë të pavarur. Është tepër e rëndësishme të arrihet të dëshmohet që të ketë rol të fortë, të mbështetur në fakte objektive dhe të bëhet pasqyrë e qytetarit të Republikës së Kosovës sa herë që përballet me situata konkrete të cilat e prekin atë si qytetar”, tha Qelaj.
