Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar në Bruksel se Serbia ka plotësuar kriteret teknike për hapjen e grupit të tretë të kapitujve negociues, por se progresi i saj drejt BE-së mbetet i kushtëzuar me përmbushjen e detyrimeve politike të parashtruara nga vendet anëtare – në qendër të të cilave është zgjidhja e plotë e rastit “Banjska”.
Në një takim me gazetarë në kuadër të Forumit të Zgjerimit të BE-së, Kos u shpreh se zbatimi i detyrimeve të mbetura është vendimtar.
“Ne po ofrojmë një dorë. Nëse Serbia e përmbush këtë, nëse nuk ka pengesë dhe nëse ka zhvillim pozitiv në fushën e medias së lirë dhe lirisë akademike, atëherë ne do të ecim përpara,” tha ajo.
Ajo theksoi se zgjidhja e rastit të sulmit në Banjskë, miratimi i ligjeve për median, pastrimi i listës së votuesve dhe reformat në REM janë kërkesat kryesore të vendeve anëtare që duhet të përmbushen para çdo hapi të ri në negociata.
Kos shprehu kritika të forta ndaj politikës së dyfishtë të Serbisë, duke thënë se për BE-në është e papranueshme që Beogradi të ruajë orientime paralele drejt Rusisë dhe Bashkimit Evropian, sidomos në kohën kur Rusia po zhvillon luftë në Ukrainë.
Ajo përmendi edhe rastet e dhënies së shtetësisë serbe disa qytetarëve rusë të sanksionuar dhe pjesëmarrjen e ushtrisë serbe në stërvitjen ushtarake ruse “Perëndimi”.
