Bashkimi Evropian ka konfirmuar për rtv21 se do të procedojë me lirimin e 205 milionë eurove të mbetura të asistencës financiare për Kosovën, pas përfundimit të procedurave të brendshme.
“Në dhjetor 2025, Presidentja Ursula von der Leyen njoftoi synimin për të hequr të gjitha masat e mbetura. Pas përfundimit të procedurave të brendshme, konfirmojmë se Komisioni tani mund të vazhdojë me lirimin e 205 milionë eurove të mbetura të asistencës financiare. Kjo do të bëhet pasi të përfundojë nënshkrimi i kontratave për asistencën financiare të programuar në kuadër të IPA 2021 dhe 2022”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Sipas njoftimit, lirimi final i fondeve përfshin 74 milionë euro projekte në kuadër të IPA 2021 dhe 2022, si dhe 131 milionë euro për projekte në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
