Lule mbi varrin e ish-Presidentit Ibrahim Rugovës në 20-vjetorin e vdekjes së tij kanë vendosur edhe kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, i shoqëruar nga deputetët e Vetëvendosjes, Alternativës dhe Listës “Guxo”, e nga ku tha se ai ishte nga figurat më të shquara të kombit shqiptar, dhe i cili ka meritë të jashtëzakonshme për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare.
Basha nën shoqërim edhe të zëvendëskryeministres në detyrë, Donika Gërvalla u shpreh se Rugova nuk lejoi që të zhvillohet qëllimi i regjimit fashist serb të Sllobodan Millosheviqit që populli i Kosovës të jetë i paarsimuar.
“Për të nderuar një nga figurat më të shquara të kombit tonë, Presidentin Historik Ibrahim Rugova, në 20-vjetorin e vdekjes së tij. Presidenti Rugova ka merita të jashtëzakonshme, duke filluar me marrjen dhe udhëheqjen e popullit tonë në kohëra dhe rrethana shumë të vështira. Po flasim për kohën kur ushtrohej dhunë dhe terror ndaj popullit tonë, kur qytetarët po dëboheshin nga puna dhe nga institucionet arsimore. Ishim një popull që po dhunohej, një popull i papunë dhe që synohej nga Serbia, nga regjimi fashist i Millosheviqit, të mbetemi të paarsimuar. Si një njeri i letrave, ai e kuptoi shpejt dhe ndërmori hapa të parakohshëm dhe të menjëhershëm për instalimin e një sistemi arsimor paralel, që mendoj se ishte një arritje e jashtëzakonshme, meqenëse ai e kuptoi shpejt se arma dhe shpresa e vetme asokohe ishte të mos mbetemi të paarsimuar. Ky sistem u mirëmbajt për 10 vite me radhë, falë edhe kuadrove arsimore që asokohe rrezikuan, sakrifikuan dhe punuan thuajse edhe pa paga”, tha ndër tjerash Basha.
Basha merita të jashtëzakonshme i jep Rugovës edhe për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe vënien në pah të terrorit dhe dhunës që Serbia po ushtronte mbi popullin e pafajshëm të Kosovës.
