Komandati i forcës paqeruajtëse në Kosovë, gjeneral major Enrico Barduani, tha se mbyllja e urës në Mitrovicë është politike dhe vendimi për të duhet të merret përmes dialogut në Bruksel.
Gjenerali Barduani në fund të mandatit të tij në krye të forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, flet edhe për zhvillimet e siguriusë në pjesën veriore të Kosovës dhe angazhimet e forcës paqeruajtëse në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes. Gjeneral Barduani tha se Serbia i ka të qarta “vijat e kuqe” në Kosovë të cilat sipas tij janë të përcvaktuar me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit ttë OKB-së.
Ai e bëri të qartë se kryesit e sulmit në Banjskë dhe mbi forcat e KFOR-it në 2023 duhe ttë sillen përpara drejtësisë. “…fatkeqësisht, Beogradi dhe Prishtina nuk kanë bërë përparim të dukshëm në normalizimin e marrëdhënieve të tyre për një kohë të gjatë. Edhe gjatë mandatit tim, e di gjithashtu ndikimin e drejtpërdrejtë në siguri nga ngërçi aktual në dialog, nuk mund ta përjashtojmë që mungesa e dialogut kuptimplotë rrezikon të kthejë çështjet politike në çështje sigurie”, tha në intervistën me RTV21, komandanti i KFOR-it gjenerali Enrico Barduani.
Barduani : Hapja e urës në Mitrovicë-çështje politike, zgjidhja në dialog!
Gjeneral, ju e morët mandatin në një kohë tensionesh në veri. Një vit më pas nuk ka ndryshuar shumë përveç mosmarrëveshjeve rreth urës mbi lumin Ibër që kohët e fundit disi janë “qetësuar”. Nga kjo perspektivë sot çka e ka bërë rolin e KFOR-it të vështirë gjatë kësaj periudhe njëvjeçare?
Gjeneral Barduani: Pa dyshim Kosova prej kohësh është karakterizuar nga sfida komplekse dhe të ndërlidhura, pasojat e të cilave ndjehen në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Mes këtyre sfidave të pazgjidhura çështjet politike janë pa dyshim më urgjentet, pasi pengojnë procesin e normalizimit mes Beogradit dhe Prishtinës dhe prekin sigurinë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Prandaj KFOR-i ruan një prani vigjilente dhe fleksibile në gjithë Kosovën, i përgatitur mirë për t’iu përgjigjur shpejt çdo zhvillimi përkatës që mund të rrezikojë stabilitetin rajonal dhe sigurinë lokale. Ne e bëjmë këtë në përputhje me mandatin tonë afatgjatë të Kombeve të Bashkuara duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabil për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe veçanërisht në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, në rolet e tyre përkatëse, si ofrues të sigurisë. Përmes pranisë sonë dhe aktiviteteve të përditshme ne gjithashtu synojmë të ruajmë një kornizë sigurie në mbështetje të përpjekjeve diplomatike që janë në vazhdim e sipër dhe të rëndësishme.
Në përgjithësi, ka dy perspektiva për urën mbi lumin Ibër. E para: se ajo ndan Kosovën në dy pjesë. Dhe tjetra se është një urë mbrojtëse. Ju erdhët dhe ura ishte e mbyllur. Po largoheni dhe ura është ende e mbyllur. Pra, a ka mbetur problemi aty ende?
Gjenerali Barduani: Mund të shtoj edhe këtë: edhe gjatë shërbimit tim të mëparshëm në Kosovë në vitin 2001 dhe 2015, ura ishte e mbyllur për qarkullimin. Dhe për mua, kjo do të thotë se mbyllja e asaj ure nuk është vetëm çështje sigurie, por kryesisht është politike në natyrën e saj. Për ta sqaruar qëndrimin e NATO-s mbi këtë temë, mund të them se ishte, ka qenë e qartë, e vazhdueshme, konsistente dhe transparente gjatë gjithë kohës: vendimi për urën mbi Ibër në Mitrovicë duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim të duhur e efektiv me komunitetet lokale, si dhe me komunitetin ndërkombëtar. Ndërkohë, KFOR-i ruan dhe do të vazhdojë ta ruajë, derisa të marrë një direktivë tjetër, praninë e tij fikse mbi urë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth derisa të gjendet një zgjidhje politike.
Gjeneral, gjithë vëmendja është, natyrshëm, e përqendruar në veriun e Kosovës, KFOR ka rritur praninë e tij. Por po citoj një deklaratë tuajën ku thatë se: “situata mbetet e qetë por e ndjeshme ndaj një përshkallëzimi të papritur”. Nga kush keni frikë se mund ta përshkallëzojë situatën papritur?
Gjeneral Barduani: Më lejoni ta theksoj këtë. Fatkeqësisht, e kaluara, por edhe ngjarjet e fundit ofrojnë disa shembuj të kësaj përplasjeje. Mund të përmend përdorimin e shpeshtë të retorikës nxitëse. Veprimet e shumta të njëanshme, ngjarja në Banjskë në vitin 2023 dhe shpërthimi që afektoi kanalin ujor Ibër–Lepenc në nëntor 2024. Prania e KFOR-it ka qenë edhe më e rëndësishme në këto rrethana sfiduese, duke ndihmuar të ruhet stabiliteti, të parandalohet përshkallëzimi përmes parandalimit dhe qetësimit të situatave që mund të kishin çuar në incidente. Duke e bërë këtë, e konsideroj veçanërisht të rëndësishme ruajtjen e një komunikimi të vazhdueshëm dhe transparent me të gjithë homologët e mi, përfshirë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, organizatat e sigurisë në Kosovë, si dhe forcat e armatosura serbe për të forcuar ndërgjegjësimin e ndërsjellë mbi situatën, për të shmangur keqkuptimet dhe në këtë mënyrë të zvogëlohet rreziku i përshkallëzimit. Barduani: Beogradi të respektojë detyrimet nga Rezoluta 1244 e KS të OKB-së
Gjeneral, forcat e policisë së Kosovës janë atje, KFOR-i është atje, EULEX-i, gjithashtu është atje. Megjithatë, shqetësimet në opinionin publik në Kosovë janë për një përshkallëzim të mëtejshëm nga, siç thonë, prirjet e Serbisë për ta destabilizuar Kosovën. A janë të bazuara këto deklarata nga Prishtina në fakte? Gjeneral Barduani: Si profesionist ushtarak, unë preferoj të mbështetem në fakte. Roli im nuk më lejon të jap ndonjë spekulim personal. Ajo që mund të them është se Serbia është faktor relevant në rajon dhe ne si NATO presim që Beogradi të vazhdojë të respektojë plotësisht detyrimet e tij nën mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të vitit 1999 dhe marrëveshjes teknike ushtarake, të bashkangjitur. Dhe në këtë mënyrë, ne presim që Beogradi të luajë një rol konstruktiv në rajon. Nga perspektiva jonë, ne vazhdojmë ta monitorojmë nga afër situatën, të ruajmë një prani të dukshme dhe fleksibile në gjithë Kosovën dhe të bashkëpunojmë me organizatën e sigurisë së Kosovës dhe forcat e armatosura serbe. Sa i përket Serbisë, më lejoni të theksoj se bashkëpunimi mes KFOR-it dhe forcave të armatosura serbe është shumë profesional dhe në një nivel të shkëlqyer, ashtu si kontaktet e mia të rregullta me Shefin e Mbrojtjes së Serbisë, Gjeneral Mojsiloviç. Edhe një herë, mendoj se këto përpjekje janë kyçe për të ruajtur stabilitetin rajonal.
Barduani: Beogradi i di “vijat e kuqe” në Kosovë!
A ia keni bërë të qartë ushtrisë serbe dhe autoriteteve shtetërore cilat janë vijat e kuqe në Kosovë, në takimet tuaja me ta?
Gjeneral Barduani: Po. Më lejoni të theksoj se vijat e kuqe që ju përmendni janë ato të përcaktuara në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me një referencë të veçantë për marrëdhënien mes KFOR-it dhe autoriteteve ushtarake serbe. Ato janë të shkruara në Marrëveshjen Teknike Ushtarake të nënshkruar nga NATO dhe Serbia në 1999. Mund të shtoj se misioni ynë mbetet i përqendruar në kontributin për një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë. Kjo është një përparësia kryesore e KFOR-it. Sigurisht, njësitë tona janë të pranishme në terren me objektivin kryesor të parandalojnë çdo rrezik të madh të eskalimit. Por nëse është e nevojshme, jemi gati të reagojmë ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë në përputhje me mandatin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ne kemi dëshmuar në mënyrë të përsëritur se mund të ofrojmë në këtë drejtim. Forcat e armatosura serbe dhe të gjithë aktorët me të cilët bashkëpunojmë janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë si dhe përkushtimin tonë të palëkundur. Vetëm për t’ju ofruar informacione të plota në këtë çështje, bazuar në procedurat ekzistuese që dalin nga marrëveshja teknike ushtarake, Serbia ka detyrimin e qartë të njoftojë përherë KFOR-in për çdo zhvillim të tyre dhe aktivitet operacional pranë vijës kufitare administrative brenda zonës tampon pesë kilometërshe që e quajmë ish-zona e sigurisë tokësore. Kjo ndihmon të parandalohet keqkuptimi që mund të ndikojë në situatën e sigurisë. Në përgjithësi, ky mekanizëm vazhdon të funksionojë në mënyrë efektive dhe jam i kënaqur me nivelin e lartë të bashkëpunimit profesional që KFOR-i ka zhvilluar në këtë drejtim.
Për të qenë shumë i qartë, gjeneral: KFOR-i ka trupat e tij në Kosovë, veçanërisht në veri. Autoritetet kosovare po flasin për përqendrimin e trupave serbe në kufi me Kosovën. Nëse kjo është e saktë, atëherë cili është niveli i gatishmërisë së KFOR-it për të parandaluar çdo konflikt të mundshëm?
Gjeneral Barduani: Pra, së pari, siç thashë, forcat e armatosura serbe duhet të deklarojnë praninë e tyre dhe aktivitetet në këtë kufi administrativ të NATO-s përpara kohe dhe ata gjithmonë kanë respektuar këtë detyrim. Në këtë kuptim, mund të dëshmoj se gjatë mandatit tim, nuk kemi vërejtur ndryshime të dukshme të rëndësishme në praninë dhe qëndrimin e tyre. Së dyti, KFOR-i mban një prani të fortë dhe të dukshme në zonë. Ne vazhdimisht e monitorojmë këtë situatë përmes një game të gjerë aktivitetesh, përfshirë patrullime të rregullta, vëzhgime, gjithashtu zbulime tokësore dhe ajrore dhe kontakte me civilë. Këto masa na lejojnë të ruajmë një njohje të saktë të situatës dhe të identifikojmë menjëherë çdo situatë jonormale ose zhvillim që mund të rrezikojë stabilitetin. Në të njëjtën kohë, siç përmenda, ne mbajmë kontakte të rregullta me forcat e armatosura serbe, sepse komunikimi gjithmonë ndihmon për të parandaluar keqkuptime dhe për të ruajtur stabilitetin. Transparenca, komunikimi dhe bashkëpunimi janë mënyrat më efektive për të parandaluar çdo rrezik eskalimi.
Gjeneral, ka pasur shumë diskutime dhe debate në Kosovë pse KFOR-i ia ka kufizuar Forcës së Sigurisë së Kosovës qasjen në veri të Kosovës. Ju po kërkoni koordinim paraprak me FSK-në, por në disa situata, a nuk do të ndihmonte kjo forcë të rritej siguria, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës?
