Deputetja e zgjedhur për legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës nga SDU, Duda Balje ka reaguar ndaj komenteve islamofobike që kanë ardhur pas vrasjes së hoxhës në fshatin Zhipotok të Dragashit.
Ajo ka thënë se e ka prejardhjen nga ky fshat dhe se ndien obligim moral që ta dënon qartë dhe me zë të lartë çdo përpjekje për përhapje të urrejtjes, qoftë mbi baza fetare apo kombëtare.
“Asnjë krim nuk duhet të bëhet shkak për përhapjen e islamofobisë, urrejtjes ndaj boshnjakëve, shqiptarëve, serbëve apo ndaj cilitdo popull dhe feje. Edhe më e rëndë është kur njerëzit përdorin vdekjen e dikujt për të përhapur helm në rrjetet sociale, për të fyer fenë, për të poshtëruar familjen e viktimës dhe për të nxitur përçarje. Vrasja është tragjedi. Jeta e njeriut është e shenjtë. Ata që sot gëzohen për vdekjen e dikujt ose e përdorin këtë tragjedi për të përhapur urrejtje, tregojnë vetëm mungesë njerëzie, morali dhe dhembshurie”, ka shkruar Balje.
Ajo i ka bërë thirrje të gjithëve që të tregojnë dinjitet respekt dhe përgjegjësi, ndërsa ka kërkuar që të mos lejohet që urrejtja të na shndërrojë në një shoqëri pa empati dhe pa kufij në gjuhën e urrejtjes.
