Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të pandehurin me iniciale M.L., polic i Njësisë Speciale Operative në Mitrovicë.
Kjo për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Sipas njoftimit ekziston dyshimi se me datë 02 shtator 2025 në fshatin Ropicë të Vushtrrisë, i pandehuri me dashje e duke e shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar si zyrtar policor, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe personin tjetër, shkon tek shtëpia e të pandehurit K.M., dhe e merr dhe e largon nga shtëpia duke shkuar në drejtim të Prishtinës.
Po ashtu, me datë 18 qershor 2025 i pandehuri M.L., kontaktohet përmes telefonit nga i pandehuri K.M., i cili e vëren një dron mbi shtëpinë e tij dhe e pyet të pandehurin M.L., se a është duke u hetuar nga policia, i dyshuari – zyrtar policor e informon se në rast kur ai është duke u hetuar ose të ketë veprime tjera do ta njoftojë.
