Avni Qenaj nga fshati Romaj është ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili është arrestuar të martën në Serbi.
Lidhur me arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së kanë reaguar nga Shoqata e Ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani” – Koshare.
“Serbia përpiqet të përdorë raste të tilla për propagandë, duke i trajtuar qytetarët e Kosovës si mjete për konsum politik të brendshëm. “, thuhet në reagim.
Reagim i plotë:
Shoqata e Ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani” – Koshare Me shqetësim të thellë kemi marrë lajmin për arrestimin nga autoritetet e Republikës së Serbisë të bashkëluftëtarit tonë, Avni Zenun Qenaj, pjesëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, për shkak të pjesëmarrjes së tij në Betejën e Kosharës në vitin 1999. Ky veprim i papranueshëm përbën vazhdimësi të praktikave të Serbisë për të mbajtur qytetarët e Republikës së Kosovës nën presion, sidomos ata që, për arsye personale, detyrohen të kalojnë nëpër territorin serb. Shoqata e Ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani” – Koshare e dënon me ashpërsi të plotë këtë praktikë të Serbisë, e cila prej vitesh përdor ndalimet politike dhe fabrikimet e rasteve penale si instrument presioni ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. Këto veprime nuk kanë asnjë lidhje me drejtësinë; ato janë vetëm në funksion të politikës së përditshme në Serbi, të orientuara për të fshehur dështimet historike të Beogradit në Kosovë, veçanërisht humbjen e thellë që i shkaktoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në vend që të përballet me të vërtetën e krimeve të tyre në Kosovë gjatë periudhës 1997–1999 dhe t’i kërkojnë falje shtetrore popullit të Kosovës; në vend se të pranojë humbjen e tyre ushtarake dhe të pranojë realitetin se Kosova me luftë ka fituar lirinë dhe pavarësinë, Serbia përpiqet të përdorë raste të tilla për propagandë, duke i trajtuar qytetarët e Kosovës si mjete për konsum politik të brendshëm. Kjo është një politikë e qëllimshme shtetërore, që synon të kufizojë lëvizjen, të krijojë tension artificial dhe të krijojë përshtypjen se ata ende kanë ndikim në Kosovë, në një kohë kur institucionet e tyre po përballen me dështime të njëpasnjëshme brenda shtetit të tyre. Raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën — përfshirë edhe rastin e fundit, kur ish-polici i Kosovës, Arbnor Spahiu, u lirua nga akuzat e fabrikuara vetëm tre ditë më parë, prandaj, Shoqata kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës që të ndërmarrin pa vonesë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe diplomatike për lirimin e menjëhershëm të Avni Zenun Qenaj, si dhe të sigurojnë mbrojtje shtesë për të gjithë qytetarët tanë që rrezikojnë të përballen me situata të ngjashme. Njëkohësisht, Shoqata apelon te të gjithë ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë, për të mos u ekspozuar ndaj praktikave të tilla arbitrare dhe të rrezikshme. Ne qëndrojmë të bashkuar me Avniun, me familjen e tij dhe me të gjithë shokët e luftës. Liria dhe dinjiteti e Kosovës janë vlera që nuk mund dhe nuk duhet të cenohen nga askush. Me respekt, Shoqata e ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani” – Koshare