Gjykata e Apelit e ka mbyllur për publikun seancën e së enjtes në rastin ku Zhivojin Nesiq është dënuar nga shkalla e parë me 15 vite burgim për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë, saktësisht për dhunim seksual ndaj një viktime.
Kolegji i Apelit i përbërë nga Albina Shabani-Rama gjyqtare referuese, Avni Mehmeti kryetar i trupit gjykues dhe Vaton Durguti anëtar, sipas detyrës zyrtare mori aktvendim për mbylljen e seancës për publikun.
“Kolegji konstaton se sipas detyrës zyrtare dhe sipas nenit 390, paragrafi 5, lidhur me nenin 289 të KPPRK-së, me qëllim të ruajtjes së informacioneve dhe jetës personale të të dëmtuares në këtë rast, duke pasur parasysh që kemi të bëjmë me vepër penale krime lufte kundër popullatës civile që përfshinë veprën penale “Dhunimi”, ndaj të dëmtuarës dhe me qëllim që asnjë informacion të mos bëhet publik, kolegji merr aktvendim: seanca e kolegjit do të jetë tërësisht e mbyllur për publikun”, tha gjyqtari Mehmeti.
Në seancë ishin të pranishëm: nga Prokuroria e Apelit, Sebahate Hoxha, mbrojtësja e palës së dëmtuar- avokatja Makifete Saliuku, i akuzuari Zhivojin Nesiq me mbrojtësit e tij, avokatët Millosh Deleviq dhe Lubomir Pantoviq.
