Ministri për punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare Andin Hoti ka reaguar publikisht lidhur me deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për çështjen e presidentit dhe përmendjen e emrit të tij në këtë proces.
Hoti tha se konfirmon plotësisht fjalët e Kurtit, duke theksuar se tentativat për pazare politike janë bërë nga disa aktorë politikë.
Ai deklaroi se një kryeministër me mbi 50 për qind të besimit të qytetarëve është tentuar të shantazhohet me formulën “veç nëse don”, gjë që sipas tij tregon një mentalitet të vjetër të të bërit politikë përmes pazareve.
Reagimi i plotë:
Reagim publik!
Me përgjegjësi të plotë, konfirmoj çdo detaj të fjalëve të Kryeministrit Kurti në raport me çështjen e Presidentit dhe përmendjen e emrit tim.
Jo të dëgjuara, por të parë me sytë e mi.
Një lider politik, Kryeministër me mbi 50% të besimit të popullit, u tentua të shantazhohej me formulën “veç nëse don…”.
Në atë moment nuk u mendua për popullin, për shtetin, për të ardhmen e vendit. U mendua vetëm për pazarin.
Pse?
Sepse për disa kjo ka qenë sistem. Ka qenë normalitet. Ka qenë mënyra si është bërë politika për vite të tëra. Dhe është e kuptueshme që për një mendësi të mësuar me pazare është e vështirë të pranojë një Kosovë ndryshe, një Kosovë pa tregti politike, me vendosmëri dhe me parime.
Sa më përket mua.
Asnjëherë në jetën time nuk kam kërkuar ndonjë post dhuratë, e aq më pak postin e Presidentit, që natyrisht është nderi më i madh që mund t’i bëhet një qytetari të këtij vendi.
Asnjëherë nuk kam shtrirë dorën për një pozitë.
Asnjëherë.
E kundërta ka ndodhur gjithmonë.
Në momente të caktuara të jetës sime më janë ofruar përgjegjësi publike, sepse të tjerët kanë besuar se mund t’i mbaj me dinjitet.
I kam mbajtur me dinjitet.
Me parime të pathyeshme.
Me përkushtim të plotë.
Natyrisht që i pagabueshëm nuk jam, por me gjithë qenien dhe dijen time i jam përkushtuar çdo detyre që më është besuar.
Kam besuar, prandaj gjithmonë, në çdo pozitë, e kam mbajtur të palëkundur thirrjen për unitet.
Kam besuar gjithmonë se vetëm të bashkuar mund ta ndërtojmë Kosovën që duan dhe meritojnë qytetarët.
Emri im në rastin e Presidentit nuk ishte asgjë më shumë e as më pak se një përpjekje e sinqertë për të tejkaluar një ngërç politik, jo për hir timin, por për hir të këtij populli dhe stabilitetit institucional.
Për të shmangur zgjedhjet e pesta brenda një viti.
Për të shmangur malltretimin e qytetarëve të Kosovës me krizë të njëpasnjëshme politike.
Mbi 10 vite të jetës sime ia kam kushtuar PDK-së, me përkushtim dhe me bindje të plotë. Kam besuar pafundësisht se njerëzit që kontribuan në luftën për çlirimin e Kosovës do ta kenë po aq të pathyeshëm vullnetin për zhvillimin e saj.
Asnjëherë nuk kam drejtuar një fjalë kundër tyre.
As pasi u emërova Kryesues i Komisionit për Persona të Zhdukur nga Kryeministri Kurti.
As gjatë fushatës në dhjetor 2025 si kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje.
Përkundrazi.
Edhe kur ata donin të më largonin me çdo kusht, unë i mbroja.
Edhe kur më lanë “te dera”, siç u tha pardje me cinizëm, unë heshtja.
Edhe kur më sulmonin pa ndalur nga brenda, unë duroja.
Kam respektuar çdo individ aty, edhe atëherë kur nuk e meritonin.
Ditën e dytë të fushatës sime si kandidat nga Levizja Vetëvendosje e kam thënë qartë në media:
“Të kaluarën time nuk e mohoj. Njerëzit vazhdoj t’i respektoj.”
Fatkeqësisht, pardje u përdor një përqmim e cinizëm i ulët. Me një nënqeshje u tha se unë “e paskam vendin te dera”.
Ndoshta për disa dera është vendi ku kalojnë jetën duke pritur të takojnë “shefat”. Prandaj edhe u duket se të gjithë e kanë vendin aty.
Edhe më ironike është se dy herë nuk arritën as te dera e Kryeministrisë për ta marrë atë post, edhe pse kishin një parti me fuqi të madhe.
Por për këtë nuk kam asnjë faj unë.
Sepse lider lind – nuk bëhesh me zor.
I kam premtuar vetes që nuk do të merrem me të kaluarën. Por e kaluara fatkeqësisht vazhdon të më ndjekë, sepse disa i pengon fakti që unë nuk jam më “te dera”.
