Procesi i zgjedhjes së presidentit apo presidentes së Kosovës pritet të jetë i komplikuar dhe i kushtëzuar nga kompromiset politike ndërmjet partive. Kështu vlerësojnë analistët politikë, duke theksuar se roli vendimtar në këtë proces do ta ketë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por pa përjashtuar peshën e opozitës në sigurimin e shumicës së nevojshme parlamentare.
Analisti politik Artan Muhaxhiri për Ekonomia Online derisa e kosndieron kompleks cështjen e procesit të të zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re thekson se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 i ka dhënë Kurtit pushtet, obligim dhe rol kyç në këtë proces, por njëkohësisht edhe përgjegjësi për të ndërtuar kompromis me partitë e tjera për të siguruar 80 votat e nevojshme në Kuvend.
“Procesi i zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re do të jetë jashtëzakonisht i komplikuar sepse ka shumë copëza të mozaikut që do të duhet që të përputhen, të aranzhohen, në mënyrë që të arrihet deri te një zgjidhje adekuate. Presidentja Osmani tashmë e ka shpallur kandidaturën për një mandat të ri mirëpo ideja është që cdo gjë do të varet nga zotëri Kurti. Pra, rezultati i 28 dhjetorit i jep atij mundësi, detyrë, obligim dhe pushtet që të jetë akteri kryesor në procesin e zgjedhjes së presidentit apo presidentes, por gjithsesi as ai i vetëm nuk do të mund ta bëjë këtë, do t’i duhet një kompromis, një bashkëpunim me partitë tjera mënyrën që të arrijë 80 vota. Por gjithsesi deri në muajin mars do të ketë shumë elemte të reja, mbase edhe do të na orientojnë drejt gjetjes së një zgjidhje e cila në çdo kontekst do të jetë vështirë nëse në fund të fundit, Kurti nuk dëshiron që të shkojmë në një proces të ri zgjedhor”, tha ai.
Por mbi të gjithë këtë, Muhaxhiri ka nënvizuar atë se presidentja Osmani këtë herë ndodhet në një pozicion politik më të dobët krahasuar me pesë vite më parë.Pozicion ky që sipas tij, e bën Osmanin shumë më të varur nga vullneti dhe planet e Kurtit dhe e detyron atë të kërkojë një marrëveshje politike nëse synon rikandidimin.
“Presidentja Osmani ëhtë në një pozicion krejt tjetër në raport me atë të pesë viteve sepse tashmë nuk e ka bazë prej 300 mijë votash sic e kishte atëhere kur u zgjodh, dhe partia GUXO pothuajse nuk ekziston, është shkrirë në Lëvizjen Vetëvendosje defacto, kështu që është tejet e varur, nga vullneti, dëshirat dhe planet e Kurti. Pra nuk ka një autonomi të vendimmarrjes, nuk mund t’i imponohet sic e kishte rastin herën e kalaur, tani është në një pozicion më të vështirë, është më e cenueshme politikisht, pra do të duhet një marrëveshje me Kurtin, nëse dëshiron me qenë sërish në kandidaturën e tij. por gjithsesi, edhe nëse ndodhë do të duhen votat, ose të LDK-së ose PDK-së, dhe të pakicave gjithsesi sepse situata ka ndryshuar krejtësisht me atë të pesë vitet e kalume dhe do të duhet një qasje e re. Është evidente që presidentja po bën një fushatë, PR, por mendoj që nuk është i efektshëm në raport me Kurtin, por më shumë me opinionin publik, me një lloj tentimi që të krijohet një imazh politik për këtë mandat të saj presidencial, por absolutisht zotëri Kurti deri në momentet e fundit do të jetë ai prej Të cilit do të varet edhe a do të ketë një rikandidim të Osmanit apo jo”, tha ai.
Muhaxhiri shton se opozita, e tronditur nga rezultati zgjedhor i 28 dhjetorit, nuk guxon të bashkëpunojë pa kushte, duke theksuar se përsëritja e skenarit të kaluar do të ishte në dëm të saj dhe në favor të kryeministrit në detyrë.
“Partitë opozitare tashmë janë të tronditura politikisht nga rezultati i 28 dhjetorit dhe nuk e kanë aspak të lehtë të rikuperohen me një afat kaq të shkurtër, por gjithsesi në asnjë skenar, në asnjë mënyrë nuk guxojnë që të jenë bashkëpunuese pa marrë diçka nga Kurti. Pra, nuk guxon që të ndodhë ajo qëndodhi herën e kaluar që të sigurohen votat pa asnjë kushtëzim politik sepse u pa dhe u dëshmua qartë se kjo i shkon vetëm në favor zotit Kurtit dhe në dëm të partive opozitare sepse presidentja Osmani vazhdimisht ka qenë në frekuenca të njëjta me kërkesat politike të zotëri Kurti”, tha ai.
