Dëshmi që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, s’ka legjitimitet po konsiderohet letra që ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, i ka dërguar kreut qeveritar, ku njofton se nuk do të zhvillohen takime brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa vendi të ketë një ekzekutiv me mandat të plotë.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, thotë se letra e diplomatit të BE-së është shqetësuese dhe konfirmim që anëtarët e kabinetit qeveritar që ushtrojnë edhe postin e deputetit s’kanë legjitimitet dhe po i mbajnë dhunshëm pozitat në ekzekutiv. E njohës politikë thonë se, mes tjerash, letra e Orav tregon domosdoshmërinë e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Orav, përmes një letre dërguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, thekson se shefat e misioneve të shteteve të BE-së nuk do të zhvillojnë takime brenda ndërtesës së ekzekutivit, derisa të ketë një qeveri me mandat të plotë, duke iu referuar edhe një vendimi të Gjykatës Supreme më 25 qershor, ku mes tjerash theksohet se një ministër i certifikuar si deputet nuk mund të ushtrojë funksione ekzekutive.
Këtë letër e kanë konfirmuar edhe në Qeverinë e Kosovës, mirëpo kanë potencuar se Kurti është kryeministër në detyrë dhe si i tillë i zhvillon takimet në objektin e Qeverisë së Kosovës.
Deputetja Kadrijaj thotë për KosovaPress se Kurti s’ka legjitimitet dhe as mandat për të ushtruar postin e kryeministrit në detyrë derisa është edhe deputet. Sipas saj, ai po e zvarrit qëllimisht konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi nuk i ka votat për të formuar qeverinë e ardhshme dhe po dëshiron të vazhdojë të qëndrojë si kryeministër në detyrë.
Ajo, krahas letrës së dërguar nga diplomatët e BE-së, përmend edhe masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, ku thekson se vendi po humb shumë edhe në aspektin financiar.
“Kjo është shqetësuese, duhet të jetë shqetësuese, sepse po konfirmohet se kjo është një qeveri jolegjitime e cila dhunshëm po e mban peng qeverisjen e Kosovës. Nuk kanë mandat për të qenë në këto pozicione – as pozita e kryeministrit, e po as edhe pozitat e ministrave. Këta qëllimshëm po e zvarrisin këtë proces në moskonstituimin e Kuvendit, që më pas të kalojmë në fazën tjetër kur duhet të zgjidhet qeveria… Kosova është vend i sanksionuar dhe po vazhdojnë të mbeten në fuqi sanksionet e vendosura ndaj kësaj qeverie, të cilat për mosrespektim të marrëveshjeve, por edhe për mospërfillje të koordinimit me faktorët ndërkombëtarë për veprime të pakoordinuara, ne jemi të sanksionuar tash e sa vite”, thekson Kadrijaj.