Konferenca e djeshme statusore për ecurinë e çështjes në rastin e krerëve të UÇK-së, u shoqërua me debate të ashpra mes avokatëve mbrojtëse, dhe gjyqtarëve.
Krejt kjo nisi me një fjalim të avokatit të Hashim Thaçit, Luka Misetiq. Ky i fundit kundërshtoi ashpër reduktimin e kohës që gjyqtarët ua bënë ekipeve mbrojtëse, duke iu dhënë 4 javë për ta përgatitur rastin e tyre.
Misetiq i akuzoi gjyqtarët nën rreshta, se me reduktime të tilla, asnjëherë nuk ishte përballur Prokuroria e Hagës.
“Sipas këtij urdhri, mbrojtja e Thaçit, duke qenë se është i akuzuari i parë, është urdhëruar që të paraqesë provat e veta nga 25 gushti 2025, trupi gjykues ka reduktuar kohën në dispozicion të mbrojtjes, me 10 javë siç ishte planifikuar, dhe në vend të 15 tetorit, ka vendosur që çështja të fillojë më 25 gusht. Dhe ndërkohë e gjithë kjo është bërë pa asnjë lloj njoftimi nga shkurti deri në qershor, duke mos marrë fare parasysh vështirësitë që ka mbrojtja për përmbushjen e afateve. Parashtrimi ynë është që nuk na keni dëgjuar, por mbrojtja i ka kërkuar konkretisht se çka mendon. Shprehimisht trupi gjykues ka thënë se kjo është e pranueshme. Të akuzuarit kanë të drejtë të kundërpërgjigjen në pranimin e gjerë për 10 javë, çka takon ky afat kohor do të jetë nga 10 tetori, duke përfshirë edhe afatet për kërkesa sipas rregullës 107”, tha avokati, raporton Nacionale.
“Trupi gjykues e ka ulur kohën për përgatitjen e mbrojtjes nga 10 javë në 2 javë, dhe kjo ka kirjuar barrë të shtuar e vështirësi për ekipin tim që po punon 12 orë në ditë. Ne nuk jemi në dijeni nëse trupi gjykues e ka trajtuar ZPS-në në një mënyrë të tillë që ka vendosur afate pa i dhënë ZPS-së mundësinë të dëgjohet. Këto janë afate që kanë krijuar shumë vështirësi për përgatitjen e mbrojtjes. Ne kërkojmë të na jepet mundësia të shpejgohet pse nuk na është dhënë e drejta jonë për këto afate”, tha avokati Misetiq.
“Ne kemi punuar, ndryshe nga regjimi që ne kemi rënë dakord me juve në shkurt. Nuk po kërkoj zgjatje deri në mes të tetorit, dua që ju ta kuptoni se ne kemi punuar duke menduar që provat tona do të paraqiten në mes të tetorit”, tha avokati kroat më tutje.
Gjyqtari Metro u mundua të debatojë me avokatin, duke thënë se në disa raste ku ai ka trajtuar, ka pasur më pak kohë për ta paraqitur mbrojtjen.
“Unë nuk kam gjetur shumë, ose asnjë, që ka qenë shumë bujar karshi afateve, përfshirë çështje ku ju keni qenë të përfshirë. Sa kohë mendoni që do të merrnit nga momenti që prokuroria mbaroi me provat e veta?”, tha gjyqtari.
“Së pari nuk e di për çfarë çështje po flisni ju, ne kemi të bëjmë me rregullën 107, duhet të marrim autorizim, dhe është problem shqetësues. Pse nuk na e keni thënë këtë gjë në mars, prill apo maj, por e keni thënë me datën 7 qershor”, tha Misetiq më tutje.