Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Përgjithshme, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-zyrtarëve policorë Nezir Gashi, Shkëlqim Aliu dhe Enis Elezaj, për kryerjen në bashkëkryerje të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë” dhe “Lëndim i lehtë trupor”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, të tre të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve policorë nga Njësia reaguese e Stacionit Policor të Klinës, gjatë një intervenimi në shtëpinë e të dëmtuarit D.K., kanë keqpërdorur autorizimet dhe kanë keqtrajtuar fizikisht të dëmtuarin. Gjatë tentimit për ta prangosur, Shkëlqim Aliu dhe Enis Elezaj e kanë mbajtur nga krahët të dëmtuarin, ndërsa Nezir Gashi e ka goditur atë disa herë me shuplaka në kokë dhe me grushte në pjesën e barkut, duke cenuar dinjitetin e tij.
Përveç kësaj, Nezir Gashi akuzohet për lëndim të lehtë trupor, pasi goditjet i kanë shkaktuar dëmtimit plagë të lehta të konstatuara në aktin ekspertim mjeko-ligjor.
