Pas një hetimi të zhvilluar përmes aplikimit të masave të fshehta të hetimit, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, në bashkëpunim me zyrtarë policorë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, kanë zhvilluar një operacion policor.
Gjatë realizimit të operacionit janë arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “Fajdeja”.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi i cili bëri të ditur se gjatë tentimit për arrestimin e njërit prej të dyshuarve, ai dyshohet se nuk është ndalur me automjet dhe gjatë ikjes ka goditur një 17-vjeçare, si dhe një zyrtar policor – hetues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë të cilët sipas vlerësimit të mjekëve, janë jashtë rrezikut për jetë .
Gjatë tentimit për arrestimin e njërit prej të dyshuarve, i dyshuari nuk është ndalur me automjet dhe ka vazhduar ikjen. Gjatë ikjes, i njëjti ka goditur një këmbësore, femër, 17-vjeçare, e cila, sipas vlerësimit të mjekëve, ka pësuar lëndime dhe është jashtë rrezikut për jetë. Po gjatë ikjes, i dyshuari ka goditur edhe një zyrtar policor – hetues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, i cili ka pësuar lëndime të lehta trupore. Pas veprimeve të ndërmarra nga zyrtarët policorë, i njëjti është ndaluar dhe arrestuar” ka thënë Bytyqi
Gjatë arrestimit të të dyshuarit kryesor janë gjetur dhe sekuestruar edhe para që dyshohet se janë përdorur për qëllime të simulimit.
Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdon hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe rrethanave të tjera të ndërlidhura.