Avokati i Popullit ka publikuar Raportin Ex officio nr. 251/2023, lidhur me cilësinë e ajrit në Republikën e Kosovës nga perspektiva e të drejtave të njeriut, të cilin ia ka adresuar Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.
Raporti është hartuar në kuadër të hetimeve të iniciuara me vetiniciativë, mbi bazën e raportimeve institucionale dhe mediale për ndotjen e ajrit në vend. Qëllimi i tij është vlerësimi i gjendjes së cilësisë së ajrit, i kornizës ligjore dhe institucionale, si dhe i efektivitetit të masave të ndërmarra nga autoritetet publike për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Nga shqyrtimi i të dhënave të institucioneve kompetente, Avokati i Popullit ka evidentuar se ndotja e ajrit vazhdon të përbëjë një ndër sfidat kryesore mjedisore dhe të shëndetit publik në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), gjatë vitit 2025 janë regjistruar 171 ditë me tejkalime të vlerës kufitare ditore të grimcave PM₁₀ në rrjetin shtetëror të monitorimit, me përqendrim të ndotjes kryesisht gjatë sezonit dimëror.
Ndërkaq, IKSHPK-ja ka vlerësuar se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje respiratore dhe kardiovaskulare, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

