Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, këtë të premte zhvilloi një vizitë në Dragash, ku bashkë me kryetarin aktual të komunës, Dr. Bexhet Xheladinin, kaloi paraditen mes qytetarëve dhe tregtarëve të zonës.
Abdixhiku e quajti Xheladinin “kryetarin aktual dhe pa dyshim edhe të ardhshëm” të kësaj komune, duke i dhënë mbështetje të plotë për zgjedhjet e së dielës.
I plotë:
E premte, ditë pazari në Dragash. Me Kryetarin aktual, dhe pa dyshim edhe të ardhshëm të kësaj komune fisnike, Dr. Bexhet Xheladini, kaluam gjithë paraditën bashkë.
Mes njerëzve punëtorë që mbajnë shtëpi e familje, mes qytetarëve tanë që e bëjnë këtë Kosovë.
Në Dragash, isha veçanërisht i interesuar të vizitoj një projekt të jashtëzakonshëm kapital që më kishte rënë në sy në çdo vizitë këtu, e që kryetari ynë e kishte nisur dhe përfunduar pa ndihmën e askujt: fabrikën e ujit. Me kapacitet prej 5 milionë litrash në 24 orë, plot 15 fshatra dhe vetë qyteti i Dragashit, për herë të parë në gjithë historinë e tyre, kanë ujë të pijshëm. Kur 25 mijë banorëve u zgjidhet problemi kryesor me një projekt të tillë, e kupton se sa fisnike di të jetë jeta në politikë.
Të lumtë, Doktor, për këtë angazhim. Kështu i shërbejmë vendit, qytetarëve dhe qyteteve tona.
Natyrisht, kur je në Dragash — saktësisht në fshatin Bellobrad — nuk mund të kalosh pa pirë ujë Opoje nga kroi i fshatit, buzë xhamisë. Legjenda thotë se kushdo që ka pirë ujë nga ky kroi, do të zhvendoset e do të jetojë në Opojë. Për sot, u kthyem në Prishtinë.
Le të fitojmë këtë të diel në Dragash.
Zgjedhja është e qartë; Bexhet Xheladini edhe katër!