Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kujtuar veprimtarin dhe bashkëpunëtorin e afërt të presidentit historik Ibrahim Rugova, Xhemajl Mustafa, në 26-vjetorin e vrasjes së tij.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka vlerësuar kontributin e Mustafës në gazetari, politikë dhe në organizimin e qëndresës paqësore të shqiptarëve të Kosovës.
Ai ka kujtuar se Mustafa ishte gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën “Rilindja”, njëri nga themeluesit e LDK-së dhe zëdhënës i presidentit Rugova, rol përmes të cilit, sipas Abdixhikut, i tregoi botës për zhvillimet në Kosovë.
Abdixhiku ka përmendur edhe qëndrimin e Mustafës në Prishtinë gjatë luftës, si dhe shkrimin e tij “Një lutje për Prishtinën”, të cilin e ka cilësuar si dëshmi të asaj periudhe.
Kreu i LDK-së ka rikthyer në vëmendje edhe rrethanat e vrasjes së Mustafës në vitin 2000, duke kërkuar zbardhjen e plotë të rastit dhe drejtësi për familjen e tij.

