Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren Faton Alia ka treguar se 109 personat e ndaluar për rastin e manipulimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit do të sistemohen.
Ai në konferencën për media, këtë e bëri të qartë meqë pati raportime se a do të ketë vend nëpër qendra të paraburgimit.
“Në orët e hershme të mëngjesit ka filluar së implementuari plani operativ. Ne, si Drejtoria Rajonale e Prizrenit, kemi asistuar me personel, me hapësira, zyra të mjaftueshme dhe me automjete, sepse e kemi kuptuar që bëhet fjalë për një numër shumë të madh, numri më i madh deri tash i personave të ndaluar në rajonin tonë. Të gjithë ata që janë proceduar në hapësirat e stacioneve policore dhe të drejtorisë rajonale, ndaj të gjithëve atyre u janë respektuar të drejtat që u takojnë në procedurë për të cilën janë zhvilluar hetimet”.
