Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka reaguar pas publikimit të aktakuzës për sulmin terrorist në kanalin “Ibër-Lepenc”, duke e cilësuar si tronditëse sasinë e energjisë dhe propagandës që Serbia ka investuar për ta paraqitur rastin si një “inskenim i Kosovës”.
Sipas Musliut, aktakuza e Prokurorisë Speciale dëshmon pa asnjë dyshim se sulmi është kryer nga persona të rekrutuar dhe të trajnuar nga Shërbimi Sekret Ushtarak i Serbisë, të cilët ishin të pajisur me armatim dhe eksploziv ushtarak. Përveç sabotimit të infrastrukturës strategjike, ata kishin kryer edhe vëzhgime të ndjeshme të sigurisë.
“Sulmi ishte kryer nga serbë të rekrutuar nga Shërbimet Sekrete të Serbisë. Kanë bërë vëzhgimin e lëvizjeve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it dhe kanë fotografuar bazën e Njësive Speciale të Policisë”, theksoi Musliu.
Njëri nga të pandehurit, Jovan Viçentijeviq, i identifikuar si toger i Shërbimit Sekret Ushtarak serb dhe i trajnuar në Serbi, dyshohet jo vetëm për pjesëmarrje në sulmin terrorist, por edhe për aktivitete të drejtpërdrejta spiunazhi.
Musliu nënvizon se Viçentijeviqi kishte propaganduar krijimin e një organizate të rreme për “çlirimin e trojeve shqiptare”, me qëllim baltosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krijimin e konfuzionit tek ndërkombëtarët.
