Një ngjarje e rëndë që tronditi Austrinë në Pashkët e këtij viti, ku një 38-vjeçare dhe nënë e katër fëmijëve u vra në komunën Sooß të Austrisë së Poshtme, do të dalë sërish në gjykatë në muajin nëntor, shkruan gazeta autriake Heute, trasnmeton Express.
Përveç bashkëshortit të viktimës, një 47-vjeçar shqiptar nga Kosova, i akuzuar për vrasjen e saj, para trupit gjykues do të dalë edhe një 45-vjeçar, bashkëkombës i tij, i cili dyshohet për trafikim të paligjshëm të armëve dhe ndihmë në kryerjen e vrasjes.
Sipas raportimit të mediumit austriak Heute, 45-vjeçari akuzohet se ia kishte siguruar armën të njohurit të tij, duke qenë në dijeni se ai synonte ta vriste bashkëshorten. Për këtë arsye, edhe ai rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.
Ngjarja kishte ndodhur më 5 prill, në ditën e Pashkëve. Sipas aktakuzës, 47-vjeçari kishte shkuar te bashkëshortja e tij, nga e cila ishte ndarë, për t’i dërguar dhurata të Pashkëve.
Ai dyshohet se më pas kishte qëlluar tri herë me pistoletë të tipit Beretta ndaj 38-vjeçares, ndërsa më pas e kishte goditur rreth 40 herë në pjesën e sipërme të trupit me një kaçavidë, derisa ajo kishte humbur vetëdijen.
Pas sulmit, ai dyshohet se e kishte tërhequr trupin e saj në kopsht dhe e kishte fshehur nën mbeturinat e kopshtit.
Vrasja kishte shkaktuar tronditje të madhe në Austri, ndërsa pas ngjarjes ishte organizuar edhe një fushatë humanitare për katër fëmijët që mbetën pa nënën. Përmes kësaj fushate ishin mbledhur 4 mijë euro donacione. Njëri nga fëmijët është një futbollist i ri me talent, sipas raportimit të mediumit austriak.
I dyshuari për armën pretendon se nuk ka lidhje me vrasjen
45-vjeçari, i cili përfaqësohet nga avokati Mirsad Musliu, ndodhet në paraburgim prej muajsh.


