Gjykata e Apelit ka marrë vendim për herë të tretë për rastin e “1 milionëshit”.
Me vendimin e marrë më 3 prill 2026, Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ndërkaq ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte refuzuar caktimi i masës së paraburgimit policit Aurel Kaziu, si dhe Edmir Ahmagjokajt dhe Ardit Laskas, të dyshuar për shpërlarje të parave rreth 1 milion euro, shumë me të cilën më 24 shkurt 2026 u kapën në pikën kufitare në Merdar.
“REFUZOHET si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti Special, PPPS.nr.10/2026, i datës 09.03.2026. VËRTETOHET”, thuhet në vendim, shkruan Betimi për Drejtësi.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special më 27 shkurt 2026 mori vendim me të cilin ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj policit Aurel Kaziu, si dhe Edmir Ahmagjokajt dhe Ardit Laskas.
Por, Gjykata e Apelit– Departamenti Special anuloi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe e ktheu çështjen në rivendosje për tre të dyshuarit. Sërish më 9 mars 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë në rivendosje ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve. Ndërkaq, me aktvendimin e 18 marsit 2026, Apeli aprovoi ankesën e PSRK-së dhe caktoi masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve. Ndërkaq, Gjykata Supreme e anuloi vendimin e Apelit për caktimin e masës së paraburgimit.
Më 28 mars 2026, “Betimi për Drejtësi” raportoi se mbrojtësi i të dyshuarit Edmir Ahmetgjokaj, avokati Fitim Bunjaku, si dhe mbrojtësja e Ardit Laskas, avokatja Adelina Imeri-Hasani, kanë thënë se të dyshuarit ende s’kanë pranuar urdhëresë apo ftesë nga Gjykata Themelore për të shkuar në paraburgim.
Çka thuhej në kërkesën e Prokurorisë?
Ndërkaq, në kërkesën e Prokurorisë Speciale të përpiluar më 25 shkurt 2026, thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska, me dashje dhe duke e ditur se pasuria e caktuar është e fituar përme aktiviteti kriminal, më 24 shkurt 2026 kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës përmes pikës kufitare në Merdar, me automjet të tipis ‘Sprinter’, të cilin e drejtonte pandehuri Ahmagjokaj, e në automjet ndodheshin edhe të pandehurit Kaziu dhe Laska.
