Stresi në politikë, kandidon me PD-në: Unë do merrem me të gjithë e rinjtë nga Tropoja deri në Sarandë
Reperi Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, i cili kandidon për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, deklaroi se që në klasë të katërt fillore ndjek PD-në.
Në një intervistë me gazetarin e A2 CNN, gjatë Kuvendit të PD-së, ai tha se objektivi i tij është të jetë afër rinisë dhe problematikave të saj, kur u pyet nëse synon të kandidojë për deputet në zgjedhjet e radhës
“Për herë të parë po e them ekskluzivisht tek ju që kam që në klasë të katërt fillore dhe deri tani që ndjek Partinë Demokratike. Vij nga një familje që nuk shesim idealet tona, jemi të qëndrueshëm, të vendosur dhe çfarëdo që ndodhë unë prapë do jem mbështetje të Partisë Demokratike nga fillimi dhe deri në fund. Nuk kam ardhur për një katapultë në politikë. Këtë përgjegjësi e kam marrë vetë. të jem afër të rinjve. Unë vij nga rruga, nga jeta reale, nga muzika dhe më së shumti e di unë se çfarë do rinia. Kam një objektiv timin, të cilin do ta realizoj edhe jam këtu sot, kandidoj për Këshillin Kombëtar, për anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe shpresoj të gjithëve. Unë do merrem me të gjithë e rinjtë demokratë nga Tropoja deri në Sarandë”, tha ai për A2 CNN.
Ai tha se nuk e sheh politikën si një shkëputje nga arti, dhe theksoi se PD do të rikthehet fuqishëm në 2029-n.
“Politika ka qenë hobi im. Po rikthehemi më fuqishëm. Do jemi në terren për të gjitha hallet që të rinjtë janë të papërfaqësuar aktualisht edhe jam gati të bisedoj me ta, të jem me ta për çdo padrejtësi edhe po e them këtu që do jemi shumë më të fuqishëm kësaj radhe. Me doemos që do vijë ajo ditë. Shpresojmë të vijë sa më shpejt. Po punojmë fort, dash Zoti. Shqiptarët ndërgjegjësohen edhe do fitojnë patjetër”.
Duke komentuar Kuvendin, ai vlerësoi pjesëmarrjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe e cilësoi sloganin “Ripërtëritje” si të qëlluar për momentin aktual të partisë.
“Mendoj që kemi pasur nevojë për këtë ripërtëritje. Patjetër që është slogan i gjetur. Mendoj do ketë ndryshime. Rinia është gati të zëjë vendet. Ata që meritojnë, ata që kanë kontribuar për Partinë Demokratike, ata që janë vlerësuar nga Partia Demokratike, janë të gjithë sot këtu”.
Sa i përket formës së të bërit politikë, ai theksoi se ajo duhet të zhvillohet si në institucione, ashtu edhe në terren, ndërsa u bëri thirrje demokratëve të bashkohen.
“Ka dy lloj politikanësh mendoj unë. Janë ata në zyrë, janë ata në terren, janë ata që janë shumë afër popullit dhe unë mendoj që do jem në terren afër popullit siç e thashë dhe i bëj thirrje të gjithë të rinjve shqiptarë kudo që janë anë e mbanë Shqipërisë, diasporës, të kthehen tek foleja e tyre, tek Partia Demokratike. Jemi një familje gjithmonë në familje ka mos pajtime po kjo është familja. I ftoj të gjithë edhe ata që kanë ikur nga Partia Demokratike, të rinjtë të kthehen tek foleja, sepse jemi gati dhe do kthehemi shumë fuqishëm”.