Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka mbërritur të martën në Prishtinë, për t’i nisur takimet me krerë të lartë shtetërorë.
Ai do të takohet fillimisht me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe më pas kryeministrin, Albin Kurti.
Shefi i NATO-s ka thënë ditë më parë se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është në interesin e të gjithëve në aleancën ushtarake perëndimore, dhe se ai nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.
Vizita e Ruttes në Kosovë zhvillohet pas asaj që ai bëri në Bosnje e Hercegovinë, më 10 mars, ku dha mesazhin që aleanca nuk do të lejojë që “të rrezikohet paqja e fituar me shumë vështirësi”.