Pas dështimit të tentativës së 29 për konstituimin e Kuvendit, kandidatja e VV-së për Kryeparlamentare, Albulena Haxhiu ka thënë se përpjekja e Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë që nga fillimi.
Ajo tha se që nga 1 maji kur dhe u propozua votimi i fshehtë nga kryesuesi, partitë opoziare refuzuan të marrin pjesë.
“Që nga 15 prilli ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të konstituar Kuvendin e Kosovës. Në njërën anë ka qenë përpjekja e VV-së, dhe në anën tjetër me mungesa e vullnetit të partive opozitare që të kontribuojnë në konstituimin e Kuvendit. Që nga 1 maji, ka filluar propozimi për votimin ndryshe, edhe sot nuk kishte sukses për faktin se opozita refuzoi të merrte pjesë në votim”, tha ajo.
Lidhur me propozimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për një qeveri të unitetit, Haxhiu tha se unitet VV-ja po kërkon për konstituimin të Kuvendit dhe se qytetarët e kanë thënë fjalën e tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Sa i përket propozimit të partisë së tretë, të Kryetarit Lumir Abdixhiku, ne kërkojmë unitet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Pra është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi unitet për të. Qytetarët e kanë thënë fjalën e tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit”.
Sipas saj, propozimi i LDK-së është tendencë për të minimizuar vullnetin e popullit dhe se qeveria aktuale në detyrë, është poashtu qeveri e tranzicionit.
Kryeministri Kurti është lideri më i votuar ndonjëherë, dhe VV është subjekti i parë me më së shumti vota. Propozimet e tilla janë tendencë për të minimizuar vullnetin e popullit, për ta shkelur atë dhe natyrisht nuk e kanë mbështetjen e VV-së. Qeveria jonë në detyrë është e tranzicionit, ndaj le t’i braktisin këto qëndrime që janë kundër popullit dhe le të kthehemi të unifikuar për ta konstituar Kuvendin”, tha ajo pas dështimit të seancës.
Në anën tjetër, deputeti i LDK-së tha se ani pse janë partie e tretë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, vetëm ky propozim mund të nxirrte Kosovën nga ky ngërç.
Ai tha se gjatë javës do të publikojnë edhe 15 pika, që do të jenë 15 tema kyçe që do të trajtohen nga kjo qeveri e unitetit.
Mustafa theksoi se LDK-ja nuk do të insistojë në udhëheqjen e kësaj qeverie.