Zyrtare: Chelsea largon Roseniorin, ky do jetë trajneri deri në fund të sezonit
Klubi anglez Chelsea ka njoftuar zyrtarisht ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Liam Rosenior, një vendim që vjen menjëherë pas humbjes së mbrëmshme ndaj Brighton & Hove Albion.
Në deklaratën zyrtare, thuhet: “Chelsea sot ka ndarë rrugët me trajnerin Liam Rosenior”.
Drejtuesit e klubit falënderuan Rosenior dhe stafin e tij për kontributin, duke theksuar profesionalizmin dhe integritetin e tij që nga momenti i emërimit në mes të sezonit. Megjithatë, u nënvizua se rezultatet dhe paraqitjet e fundit kanë qenë nën standardet e kërkuara.
“Ky nuk ka qenë një vendim i lehtë, por performancat e fundit kanë rënë nën nivelin e nevojshëm, ndërkohë që sezoni ka ende shumë objektiva për t’u arritur,” thuhet në reagimin e klubit.
Chelsea gjithashtu bëri të ditur se Calum McFarlane do të marrë drejtimin e ekipit si trajner i përkohshëm deri në fund të sezonit, i mbështetur nga stafi aktual. Objektivi mbetet sigurimi i një vendi në garat evropiane dhe avancimi në FA Cup.