Kompania Meta ka njoftuar zgjerimin global të sistemit të verifikimit të moshës përmes inteligjencës artificiale, me synimin për të identifikuar përdoruesit nën 18 vjeç dhe për të parandaluar anashkalimin e kufizimeve në rrjetet sociale.
Sistemi i ri do të nisë të zbatohet në Instagram gjatë këtij muaji, ndërsa më pas do të shtrihet edhe në Facebook dhe Threads.
Sipas kompanisë, teknologjia do të analizojë sjelljen dhe përmbajtjen e publikuar nga përdoruesit për të vlerësuar moshën e tyre, edhe në rastet kur kanë deklaruar datëlindje të rreme për t’u paraqitur si të rritur.
Nëse sistemi identifikon se një përdorues është adoleshent, llogaria e tij do të kalojë automatikisht në kategorinë e mbrojtjes së posaçme për këtë grupmoshë. Kjo nënkupton kufizime për personat që mund ta kontaktojnë dhe kontroll më të madh mbi përmbajtjen që u shfaqet.



