Google do të blejë deri në gjysmën e energjisë elektrike të prodhuar nga një prej centraleve bërthamore të Finlandës, si pjesë e një investimi rekord prej 13 miliardë eurosh (11 miliardë paundësh; 15 miliardë dollarësh) në infrastrukturën e inteligjencës artificiale (AI) të vendit, njoftoi kompania, ka raportuar BBC, transmeton Gazeta Express.
Gjiganti amerikan i teknologjisë deklaroi se paketa do të financojë tre qendra të reja të dhënash, do të zgjerojë një qendër ekzistuese dhe do të mbështesë projekte energjetike për të përmbushur kërkesën në rritje për shërbimet e AI.
“Ky është investimi më i madh i vetëm i Google në Evropë dhe një dëshmi e lidershipit të Finlandës në ndërtimin me përgjegjshmëri të infrastrukturës së AI,” tha kompania të mërkurën.
“Vendimi i Google është një dëshmi e qartë e pikave tona të forta,” tha Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, në një deklaratë.
Si pjesë e marrëveshjes, Google nënshkroi një kontratë 22-vjeçare me kompaninë finlandeze të energjisë “Fortum” për të blerë deri në 50% të prodhimit nga centrali bërthamor i Loviisa-s.
Në fillim të kësaj jave, TikTok njoftoi një investim prej 1 miliard dollarësh në Finlandë për të ndërtuar një qendër të re të dhënash në Kouvola, duke theksuar “infrastrukturën e fortë dixhitale, përzierjen e energjisë së pastër, qeverisjen solide të të dhënave dhe talentet e kualifikuara në teknologji” të vendit.
Finlanda është bërë një vendndodhje tërheqëse për qendrat e të dhënave falë klimës së saj të freskët, energjisë elektrike me bollëk dhe me emetime të ulëta karboni, si dhe rrjetit energjetik që nuk është i mbingarkuar. Temperaturat më të ulëta mund të ulin sasinë e energjisë së nevojshme për të ftohur objektet e mbushura me serverë kompjuterikë.
Kompanitë e teknologjisë po garojnë për të siguruar furnizime me energji, ndërsa hovi i inteligjencës artificiale po nxit kërkesën për rrjete të gjera qendrash të dhënash.