Zhvillimi i jurisprudences dhe analizë krahasuese e Antonio Cassese, Kai Ambos dhe Christoph Barthe
Prof. Asoc. Dr. Orhan M. Çeku
Hyrje
Debati mbi ndërmarrjen e përbashkët kriminale (në gjuhën angelze: Joint Criminal Enterprise – JCE) ka marrë një dimension të ri në kontekstin e drejtësisë penale ndërkombëtare, veçanërisht për shkak të zhvillimeve gjyqësore në Hagë që lidhen me përgjegjësinë penale të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Hashim Thaqi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi). Përtej dimensionit juridik, ky proces ka nxitur diskutime të thella mbi kufijtë e përgjegjësisë penale individuale, raportin ndërmjet qëllimeve politike e ushtarake dhe qëllimit të përbashkët kriminal, si dhe mbi rrezikun e shtrirjes së përgjegjësisë përtej veprimeve dhe fajësisë së provuar të individit. Pikërisht ky aktualitet përbën shtysën kryesore për hartimin e këtij artikulli, i cili, përmes analizës së mendimit juridik të Antonio Cassese, Kai Ambos dhe Christoph Barthe, synon të shqyrtojë në mënyrë kritike themelet teorike, zhvillimin jurisprudencial dhe kufijtë e zbatimit të doktrinës JCE. Në thelb, studimi ngre një pyetje themelore për legjitimitetin e drejtësisë penale ndërkombëtare: deri ku mund të shtrihet përgjegjësia për krimet e kryera në kuadër të një veprimtarie kolektive, pa cenuar parimin se përgjegjësia penale është dhe duhet të mbetet individuale?
Përzgjedhja e Antonio Cassese, Kai Ambos dhe Christoph Barthe si autorë referues të këtij studimi nuk është e rastësishme, por mbështetet në rëndësinë e kontributeve të tyre shkencore dhe në qasjet e ndryshme që përfaqësojnë në interpretimin e doktrinës së ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Antonio Cassese, si një nga figurat më me ndikim në zhvillimin e së drejtës penale ndërkombëtare, ofron një perspektivë që njeh domosdoshmërinë e kësaj doktrine, por njëkohësisht kërkon kufizimin e zbatimit të saj për të shmangur zgjerimin e pajustifikuar të përgjegjësisë penale. Kai Ambos, përmes një qasjeje kritike dhe dogmatike, vë në qendër parimin e fajësisë individuale, duke problematizuar kufijtë e atribuimit të përgjegjësisë për veprimet e kryera në kuadër të një qëllimi të përbashkët. Rëndësia e përfshirjes së Ambos në këtë analizë bëhet edhe më e veçantë në kontekstin e caktimit të tij si anëtar i Panelit të Apelit në çështjen gjyqësore ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke krijuar një ndërlidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet kontributit të tij doktrinar dhe shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështjeje. Ndërkaq, Christoph Barthe paraqet një interes të veçantë për këtë studim, jo vetëm për shkak të monografisë së tij kushtuar origjinës, zhvillimit dhe qëndrueshmërisë juridike të JCE-së, por edhe për faktin se është pjesë e trupit gjykues në shkallë të pare në procesin ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë. Kjo ndërthurje e mendimit shkencor me praktikën gjyqësore e bën analizën e kontributit të tij veçanërisht relevante, pa paragjykuar qëndrimet e tij në vendimmarrjen gjyqësore. Në këtë mënyrë, shqyrtimi krahasues i tri qasjeve synon të krijojë një bazë më të gjerë teorike dhe kritike për të vlerësuar nëse interpretimi dhe zbatimi i JCE-së mbeten brenda kufijve të parimit të ligjshmërisë dhe përgjegjësisë penale individuale, apo rrezikojnë të shndërrohen në një mekanizëm të zgjeruar të atribuimit të fajësisë.
1. Origjina dhe zhvillimi i doktrinës së JCE
Ndërmarrja e përbashkët kriminale (JCE) përbën një nga doktrinat më të rëndësishme, por edhe më të debatueshme, të përgjegjësisë penale individuale në të drejtën penale ndërkombëtare. Ajo është zhvilluar kryesisht në jurisprudencën e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë së individëve që marrin pjesë në realizimin e një qëllimi të përbashkët kriminal, edhe kur nuk i kryejnë personalisht të gjitha veprimet materiale që përbëjnë krimet.
Rëndësia e kësaj doktrine lidhet me karakterin kolektiv dhe të organizuar të shumë krimeve ndërkombëtare. Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës shpesh kryhen përmes strukturave politike, ushtarake ose administrative, në të cilat vendimmarrja, planifikimi dhe ekzekutimi shpërndahen ndërmjet shumë individëve. Megjithatë, përgjegjësia penale mbetet individuale dhe nuk mund të mbështetet vetëm në përkatësinë ndaj një organizate, në pozitën hierarkike apo në lidhjen politike me persona të tjerë. Pikërisht këtu lind problemi themelor juridik: si mund të përcaktohet përgjegjësia penale individuale për krime që burojnë nga një veprimtari kolektive, pa e shndërruar këtë përgjegjësi në fajësi për shkak të asociimit?
Në trajtimin e kësaj çështjeje, kontributet e Antonio Cassese dhe Kai Ambos janë veçanërisht të rëndësishme. Cassese e trajton JCE-në në kontekstin e zhvillimit të përgjegjësisë për krimet ndërkombëtare, ndërsa Ambos i kushton vëmendje të veçantë kufijve dogmatikë të atribuimit të përgjegjësisë, parimit të fajësisë dhe dallimit ndërmjet pjesëmarrjes në një plan kriminal dhe përgjegjësisë për veprimet e personave të tjerë.
Doktrina JCE mori formën e saj bashkëkohore në aktgjykimin e Dhomës së Apelit të ICTY-së në çështjen Prosecutor v. Duško Tadić, të 15 korrikut 1999. Tribunali e zhvilloi këtë formë përgjegjësie duke interpretuar nenin 7(1) të Statutit të tij dhe duke shqyrtuar praktikën e mëparshme të së drejtës penale ndërkombëtare, veçanërisht jurisprudencën e pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë aktgjykim u identifikuan tri kategori të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, të cilat dallojnë kryesisht për nga elementi subjektiv i përgjegjësisë (mens rea).
Tabela 1. Tri format e ndërmarrjes së përbashkët kriminale
Kategoria
Përmbajtja juridike
Elementi subjektiv
JCE I – Forma themelore
Disa persona marrin pjesë në një qëllim të përbashkët që përfshin kryerjen e krimeve.
Synimi i përbashkët për realizimin e krimit.
JCE II – Forma sistemike
Pjesëmarrja në një sistem të organizuar keqtrajtimi, si në rastin e kampeve të ndalimit.
Njohja e sistemit dhe synimi për të kontribuar në qëllimin e tij kriminal.
JCE III – Forma e zgjeruar
Përgjegjësi për një krim jashtë qëllimit të përbashkët, kur ai ishte pasojë e natyrshme dhe e parashikueshme e realizimit të tij.
Vetëdija për rrezikun e kryerjes së krimit shtesë dhe pranimi i atij rreziku përmes vazhdimit të pjesëmarrjes.
Elementet objektive të JCE-së përfshijnë ekzistencën e një shumësie personash, një qëllim të përbashkët që përfshin kryerjen e një krimi brenda juridiksionit të tribunalit dhe pjesëmarrjen e të akuzuarit në realizimin e këtij qëllimi. Nuk kërkohet domosdoshmërisht marrëveshje formale ose dokument i shkruar; ekzistenca e qëllimit të përbashkët mund të nxirret nga provat dhe sjellja e pjesëmarrësve. Megjithatë, pjesëmarrja nuk mund të prezumohet vetëm nga pozita politike ose ushtarake e individit. Duhet të provohet lidhja konkrete ndërmjet veprimtarisë së tij dhe qëllimit të përbashkët kriminal. Po ashtu, jurisprudenca e ICTY-së nuk ka vendosur një kërkesë të përgjithshme që çdo kontribut të jetë domosdoshmërisht substancial, megjithëse rëndësia e kontributit mund të ndikojë në vlerësimin e pjesëmarrjes.
2. Antonio Cassese: mbrojtja e doktrinës dhe nevoja për kufizimin e saj
Një nga kontributet më të rëndësishme të Antonio Cassese është studimi: The Proper Limits of Individual Responsibility under the Doctrine of Joint Criminal Enterprise, botuar në Journal of International Criminal Justice. Në këtë punim, Cassese argumenton se JCE është një instrument i nevojshëm për të përcaktuar përgjegjësinë e individëve që marrin pjesë në krime kolektive. Megjithatë, ai nuk e mbron zbatimin e pakufizuar të doktrinës. Përkundrazi, pranon se disa kritika ndaj saj janë të bazuara, veçanërisht ato që lidhen me formën e tretë, JCE III.
2.1. Problemi i parashikueshmërisë
Sipas analizës së Cassese, një nga dobësitë themelore të JCE III qëndron në përdorimin e standardit të parashikueshmërisë për të atribuuar përgjegjësinë për krime që nuk ishin pjesë e planit fillestar. Problemi juridik lind kur një individ merr pjesë në një qëllim të përbashkët kriminal, ndërsa një pjesëmarrës tjetër kryen një krim shtesë. Në këto rrethana duhet të përcaktohet nëse krimi shtesë ishte i parashikueshëm për të akuzuarin dhe nëse ai, duke qenë i vetëdijshëm për këtë mundësi, e pranoi rrezikun.
Cassese vëren se një standard tepër i gjerë i parashikueshmërisë mund të çojë në zgjerimin e përgjegjësisë penale përtej fajësisë individuale. Për këtë arsye, ai kërkon një interpretim më të saktë të lidhjes ndërmjet pjesëmarrjes në qëllimin e përbashkët, rrezikut të parashikuar dhe krimit konkret.
2.2. JCE III dhe krimet që kërkojnë qëllim të posaçëm
Një nga qëndrimet më të rëndësishme të Cassese lidhet me krimet që kërkojnë dolus specialis, pra qëllim të posaçëm. Ai kundërshton zgjerimin e JCE III në mënyrë që një individ të mbahet përgjegjës si kryerës i një krimi që kërkon qëllim të posaçëm, vetëm sepse kryerja e tij ishte e parashikueshme. Kyproblem është veçanërisht i rëndësishëm në rastin e gjenocidit, për të cilin kërkohet qëllimi për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup të mbrojtur si të tillë.
Cassese argumenton se kur mungon elementi subjektiv i nevojshëm për një krim të tillë, mund të shqyrtohen forma të tjera të përgjegjësisë, si ndihma dhe mbështetja (aiding and abetting), nëse provohen elementet përkatëse. Ky qëndrim duhet dalluar nga jurisprudenca e ICTY-së në çështjen Brđanin, ku Dhoma e Apelit pranoi një qasje më të gjerë ndaj JCE III, përfshirë në raport me gjenocidin, duke kërkuar që kryerja e krimit me qëllim gjenocidal të ishte e parashikueshme për të akuzuarin. Pra, pikëpamja kufizuese e Cassese nuk duhet paraqitur si rregull i pakontestuar i jurisprudencës.
2.3. Kufijtë e përgjegjësisë kolektive
Cassese ngre gjithashtu çështjen e lidhjes ndërmjet pjesëmarrësve në planin e përbashkët dhe personave që kryejnë fizikisht krimet. Në analizën e tij, përdorimi i JCE-së bëhet problematik kur kryerësit fizikë nuk janë pjesë e planit kriminal dhe veprojnë pa qenë të vetëdijshëm për ekzistencën e tij. Kydiskutim ka rëndësi të veçantë për strukturat komplekse politike dhe ushtarake, ku urdhrat, vendimet dhe veprimet mund të kalojnë nëpër nivele të shumta organizative.
Në thelb, Cassese kërkon që JCE-ja të ruajë aftësinë për të trajtuar kriminalitetin kolektiv, por pa u shndërruar në një mekanizëm të përgjegjësisë së pakufizuar për veprimet e të tjerëve.
3. Kai Ambos: kritika dogmatike ndaj ndërmarrjes së përbashkët kriminale
Kai Ambos e trajton JCE-në nga një perspektivë më kritike, duke u përqendruar në përputhshmërinë e saj me parimet themelore të së drejtës penale. Një nga punimet e tij kryesore është: Joint Criminal Enterprise and Command Responsibility, botuar në Journal of International Criminal Justice, vëllimi 5, nr. 1 (2007), f. 159–183. Në këtë studim, Ambos paralajmëron se JCE-ja rrezikon të përdoret si një instrument tepër i gjerë i ndjekjes penale, duke krijuar paqartësi konceptuale dhe duke mbivendosur forma të ndryshme të përgjegjësisë individuale.
3.1. Parimi i fajësisë individuale
Në qendër të kritikës së Ambos qëndron parimi nullum crimen sine culpa — nuk ka përgjegjësi penale pa fajësi personale. Nga kjo perspektivë, përgjegjësia për një krim ndërkombëtar duhet të lidhet me sjelljen konkrete të individit, elementin e tij subjektiv dhe bazën juridike të atribuimit të krimit. Pjesëmarrja në një strukturë kolektive nuk është e mjaftueshme për të provuar përgjegjësinë penale. Po ashtu, ekzistenca e një qëllimi politik ose ushtarak të përbashkët nuk mund të barazohet automatikisht me ekzistencën e një qëllimi kriminal.
Kritika e Ambos është veçanërisht e rëndësishme për JCE III, sepse përgjegjësia për krime jashtë planit të përbashkët mund të dobësojë lidhjen ndërmjet fajësisë personale dhe krimit për të cilin individi dënohet.
3.2. Dallimi ndërmjet JCE-së dhe përgjegjësisë komanduese
Ambos i kushton vëmendje të veçantë marrëdhënies ndërmjet JCE-së dhe përgjegjësisë komanduese (command responsibility). Këto dy forma të përgjegjësisë kanë baza të ndryshme juridike. JCE-ja mbështetet në pjesëmarrjen e individit në realizimin e një qëllimi të përbashkët kriminal. Përgjegjësia komanduese, përkundrazi, lidhet me pozitën e eprorit, kontrollin efektiv mbi vartësit, dijeninë ose standardin përkatës të njohurisë dhe mosmarrjen e masave të nevojshme e të arsyeshme për të parandaluar ose ndëshkuar krimet. Ambos paralajmëron se përdorimi paralel dhe i paqartë i këtyre doktrinave mund të krijojë konfuzion, sidomos në proceset kundër udhëheqësve politikë dhe ushtarakë.
Për shembull, fakti që një komandant ka pasur autoritet mbi një njësi nuk provon vetvetiu se ai ka marrë pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale. Anasjelltas, pjesëmarrja në një plan kriminal nuk kërkon domosdoshmërisht ekzistencën e marrëdhënies epror–vartës.
3.3. Kontrolli mbi organizatën si alternativë dogmatike
Në diskutimin e tij, Ambos i referohet edhe konceptit gjerman Organisationsherrschaft, që lidhet me kontrollin mbi kryerjen e krimit përmes një aparati të organizuar pushteti. Kykoncept synon të shpjegojë se si një individ në pozitë drejtuese mund të ushtrojë kontroll mbi realizimin e krimeve përmes strukturave organizative, edhe kur nuk merr pjesë drejtpërdrejt në ekzekutimin fizik. Rëndësia e kësaj qasjeje qëndron në përpjekjen për të krijuar kritere më të përcaktuara të atribuimit të përgjegjësisë penale, në vend që ajo të mbështetet vetëm në ekzistencën e një qëllimi kolektiv. Megjithatë, kontrolli mbi organizatën nuk është i barabartë me përgjegjësinë komanduese dhe as nuk duhet trajtuar si zëvendësim automatik i JCE-së. Secila doktrinë kërkon provimin e elementeve të veta juridike.
4. JCE dhe neni 25(3)(d) i Statutit të Romës
Një tjetër kontribut i rëndësishëm i Kai Ambos është kapitulli The ICC and Common Purpose—What Contribution Is Required under Article 25(3)(d)?, i botuar në vitin 2015. Në këtë studim, Ambos analizon përgjegjësinë për kontributin në kryerjen e krimit nga një grup personash që veprojnë me qëllim të përbashkët, sipas nenit 25(3)(d) të Statutit të Romës. Ai argumenton se kjo dispozitë përfaqëson një kompromis ndërmjet nevojës për të ndjekur penalisht krimet kolektive dhe kërkesës për të shmangur përgjegjësinë e bazuar vetëm në anëtarësinë në grup ose në marrëveshjen paraprake për kryerjen e krimeve.

