Futbollisti i Sunderlandit, Luke O’Nien, ka folur hapur për përvojën e tij duke punuar krah për krah me Granit Xhakën, duke pranuar se prania e mesfushorit kosovar ka pasur një ndikim të madh si në zhvillimin e tij si lojtar, ashtu edhe si lider brenda skuadrës.
O’Nien i bëri këto deklarata pas fitores së Sunderlandit ndaj Evertonit në FA Cup, duke u ndalur te përgjegjësitë që ka marrë këtë sezon dhe te roli i Xhakës prapa skenave.
Ai përmendi veçanërisht një moment nga përballja e fundit në Ligën Premier ndaj Newcastle United, kur iu drejtua skuadrës para ndeshjes, ndërsa Xhaka, me qëllim, u tërhoq një hap mbrapa.
“Të jem i sinqertë, kjo do të thoshte gjithçka për mua”, tha O’Nien kur u pyet për gjestin e Xhakës para ndeshjes në ‘Stadium of Light’, të cilën Sunderlandi e fitoi 1-0 falë një autogoli spektakolar të Nick Woltemade.
“Ai është një nga, në mos lideri më i mirë në futboll dhe ai ma dha mua këtë nder. Sinqerisht, nuk do të mund ta përshkruaj me fjalë se sa shumë do të thotë kjo për mua”, shtoi ai.
