Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka reaguar pas humbjes së thellë që pati Kosova ndaj Zvicrës të premten.
Përmes një postimi në Facebook, Ademi tha se “Dardanët” kanë nevojë për mbështetje pikërisht në situata të tilla, duke bërë thirrje që tifozët që përkrahin fuqishëm Kosovës, ta bëjnë të njëjtën në ndeshjen ndaj Suedisë që zhvillohet të hënën.
“Kombëtarja është e të gjithëve dhe duhet ta mbështesim në ditë të mira, por edhe në ditë të vështira”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Postimi i plotë i Agim Ademit:
Sonte nuk ishte nata jonë në Bazel. Një humbje e thellë dhe e dhimbshme për Dardanët tanë, që tregon se ende kemi punë përpara dhe se duhet të reagojmë fuqishëm në ndeshjet e ardhshme.
Kjo humbje na dhemb të gjithëve, por duhet ta pranojmë se edhe netët si kjo janë pjesë e futbollit. Gjithsesi, kjo është vetëm një betejë e humbur dhe jo fundi i rrugës. Kam besim te këta djelmosha dhe sigurisht se do të nxjerrim mësime dhe do të rikthehemi më të fortë në sfidat që na presin.
