Në prag të sfidës miqësore kundër Gjilbraltarit, që Kombëtarja do të luajë nesër në stadiumin “Europa Point” në orën 18:00, trajneri Silvinjo doli në një konferencë zyrtare për media.
Trajneri Silvinjo tha se skuadra është përgatitur maksimalisht për ndeshjen e nesërme për të marrë një rezultat pozitiv. Ai foli ndër të tjera edhe për largimin e Adrian Bajramit nga Kombëtarja, mungesat dhe afrimet e reja në skuadër si Shpendi, Kacurri dhe Çokaj.
Gjendja e skuadrës? – E dimë që do të luajmë kundër Letonisë në shtëpi. Duhet të përgatitemi shumë mirë për atë ndeshje. Letonia është skuadër shumë e fortë, është ekip fizik, i organizuar mirë. Për pyetjen që i bëtë Marashit që vuajtëm në mbrojtje ndeshjen e parë, dua të them që vuajtëm si ekip edhe në pjesën e parë. Jemi duke u përgatitur, është një ndeshje e vështirë që kemi përpara. Kur kemi lojtarë që të mungojnë, e bën punën më të vështirë, por e tillë është puna në Kombëtare. Unë kam punuar tre-katër vite me Brazilin dhe i ndodh kujtdo. Duhet të përgatitesh dhe të kesh opsione të mira. Jemi shumë të lumtur me lojtarët që kemi dhe do të bëjmë më të mirën.
Adrian Bajrami? – Ne kemi plotësuar listën e madhe të lojtarëve që në datën 17 gusht dhe gjatë këtyre dy javëve nuk kemi pasur asnjë përgjigje nga klubet e secilit lojtar. Pas konferencës për shtyp të datës 29 kur publikuam edhe listën, nuk pati ndonjë ndryshim. Më pas, një ditë më vonë më telefonuan nga Federata dhe më thanë që Adrian Bajrami ka zgjedhur të përfaqësojë Kombëtaren e Zvicrës. Kam folur rreth 30 minuta në telefon me të. Nuk kam shumë gjëra për të thënë, kjo është një situatë që ndodh kudo nëpër botë. Edhe gjatë kohës që kam qenë në Kombëtaren e Brazilit, kanë qenë dy-tre lojtarë që ishin mes Brazilit dhe Italisë. Kjo është e vërteta. I uroj gjithë të mirat dhe shumë fat lojtarit.
A do të luani me të njëjtët lojtarë të cilët do të luajnë ndoshta edhe ndaj Letonisë? – Kur punon në një ekip kombëtar, ndodh që përgatitesh për 23-24 lojtarë dhe pastaj mund të presësh që një apo disa lojtarë të dëmtohen. Jam i kënaqur me lojtarët të cilët kanë ardhur: Kacurri, Çokaj, Shpendi. Shikoj që në momentin që kanë ardhur, kanë ardhur ta shijojnë realisht kombëtaren dhe ndihen krenarë dhe të lumtur që luajnë me ne. Dua të them që janë dy ndeshje të ndryshme të dyja, një ndeshje miqësore dhe më pas një ndeshje e rëndësishme për rezultat. E kam thënë dhe më parë që nuk besoj në ndeshje miqësore, pasi çdo ndeshje duhet të përgatiten për të pasur rezultat të mirë dhe për të arritur fitore. Duhet të bëjmë më të mirën e mundshme në këtë rast, të përgatitemi mirë. Është ndeshje e rëndësishme dhe do duhet të punojmë shumë mbi të. Për momëntin po mendoj për të gjithë lojtarët që kam dhe jo për lojtarët me të cilët do të luaj. Pas ndeshjes së nesërme, do fillojmë të mendojmë për 11-shen e Letonisë. Sot na erdhi edhe portieri Simon Simoni, i cili do të zëvendësojë Elhan Kastratin. Ai kishte një problem fizik, ne e dinim por donim ta testonim. U bë pjesë e ekipit, zhvilluam një stërvitje, por ai nuk ishte në 100% e tij. Ftuam Simonin, tek i cili besoj shumë. Simoni ishte edhe pjesë e eksperiencës së mrekullueshme në Europian vitin e kaluar.
Gjendja e Armando Brojës? – Broja është mirë, nuk ka asnjë problem. Ai e di që duhet të luajë sa më shumë. Është lojtar i ri dhe duhet të jetë vazhdimisht në fushë. Të ndihmojë ekipin dhe të fitojë eksperiencë. Është transferuar në një ekip të ri. Është brenda të njëjtit shtet, por sigurisht është një jetë e re, klub i ri, metodologji e re loje. Ka luajtur dhe një ndeshje 64 minuta. Edhe ai e di që kjo nuk është maksimumi i tij, por që sigurisht është duke u përmirësuar vazhdimisht dhe po ndihet mirë. Ka marrë pjesë në çdo stërvitje normalisht. Është në gjendje optimale.