Kylian Mbappe i ka shpëtuar ndërhyrjes kirurgjikale në gjurin e majtë, por rikthimi i tij në fushë do të bëhet me shumë kujdes. Sulmuesi francez ka nisur tashmë punën për rikuperimin dhe pritet të mungojë rreth 10 deri në 12 ditë.
Pas një dite stabilizimi, Mbappé ka nisur të hënën punën për rikuperimin në Valdebebas dhe do ta vazhdojë edhe sot. Gjendja e tij duket më e mirë nga sa u frikësua fillimisht, pasi dëmtimi që pësoi me Francën është reduktuar në një hiperekstension të kapsulës së pasme të gjurit të majtë.
Parashikimi fillestar është për një mungesë prej 10 deri në 12 ditësh, por situata mund të kishte qenë shumë më serioze.
Mbappé ndjeu dhimbje pasi shënoi në ndeshjen Turqi-Francë të premten e kaluar dhe vendimi për të mos e vazhduar lojën rezultoi vendimtar. Sipas ekzaminimeve, nëse ai do të kishte vijuar të luante, rreziku për një dëmtim shumë të rëndë në gju do të kishte qenë i lartë, deri në atë pikë sa mund t’i kushtonte një pjesë të madhe të sezonit.
Në kampin e Real Madridit pati shqetësim të madh menjëherë pas dëmtimit. Klubi madrilen ishte në kontakt të vazhdueshëm me stafin mjekësor të Federatës Franceze dhe, për një moment, u konsiderua edhe mundësia e një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Megjithatë, ekzaminimet e mëtejshme treguan se operacioni nuk ishte i nevojshëm. Ky është një lajm pozitiv për Real Madridin, por klubi nuk dëshiron të marrë asnjë rrezik me yllin francez. Mbappé do të rikthehet vetëm kur të jetë plotësisht gati.
Sipas afatit të parashikuar të rikuperimit, francezi mund të jetë i gatshëm për ndeshjen e 10 tetorit kundër Villarrealit, në “Santiago Bernabéu”. Megjithatë, rikthimi në fushë në atë sfidë mbetet ende në pikëpyetje.



