Disa marka kineze kanë ndërprerë bashkëpunimin me yllin francez, Kylian Mbappe, pas reagimeve të ashpra në internet lidhur me disa komente që ai dyshohet se ka bërë për udhëheqësin e ndjerë kinez, Mao Ce Dun.
Raportohet se në një emision francez, Mbappe ka përmendur një meme “që më bën të qesh më shumë... ajo ku shfaqet një video e një burri, besoj se është një diktator kinez”. Ndërsa Mbappe flet, shfaqet një “meme” ku fytyra e tij është vendosur mbi një imazh që i ngjan Maos.
“E përdor gjatë gjithë kohës me miqtë e mi”, shton sulmuesi i Real Madridit, sipas disa klipeve të pakonfirmuara që kanë qarkulluar në internet, shkruan BBC.
Mbappe nuk e përmend Maon dhe videoja origjinale nuk gjendet më në kanalin e emisionit në “YouTube”. Por pamje të shkëputura janë përhapur në rrjetet sociale kineze. Madje ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës. Një zëdhënës tha se “fjalët dhe veprimet që lëndojnë ndjenjat e popullit kinez, natyrisht që do të hasin në kundërshtimin e të gjithë sektorëve të shoqërisë kineze”.




