Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për ndeshjen ndërkombëtare të futbollit Shqipëri – Angli.
Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve të Shqipërisë dhe Anglisë, që do të zhvillohet sot në orën 18:00, në stadiumin “Air Albania”, duke u mbështetur dhe në përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve me përmasa ndërkombëtare, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash.
Në këtë kuadër janë marrë masa për shoqërimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të Anglisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;
-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës; -Kryerja e kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët; -Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës; -Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.
Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, konkretisht me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, Shoqëritë private të sigurisë (stjuardët dhe personeli i sigurisë), Spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.
Janë vendosur kontakte dhe po bashkëpunohet dhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Anglisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, sot nga ora 14:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit dhe konkretisht: * Rruga “Papa Gjon Pali II”; * Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së; * Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së; * Rruga “Themistokli Gërmenji”; * Rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Liceut; * Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”; * Rruga “Jul Variboba”, pranë postës; * Rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës; * Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar; * Rruga “Skerdilajd Llagami”; * Rruga “Faik Konica”.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e hyrjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
