“Nuk ka rëndësi nga vijmë, por ku po shkojmë.”
Kjo fjali, e thënë nga vetë Diogo Jota pas një ndeshjeje të Ligës së Kombeve ku shënoi dy gola ndaj Suedisë, qëndron sot në hyrje të Akademisë së Gondomar SC, pranë një fotografie të tij me fanellën e klubit ku kaloi gjithë fëmijërinë. Pranë saj, një tjetër foto me fanellën e Portugalisë tregon se sa larg kishte arritur ai.
Diogo Jota, i cili humbi jetën tragjikisht së bashku me vëllain e tij André Silva pas një aksidenti automobilistik në Spanjë, nuk ishte vetëm një futbollist i suksesshëm – ai ishte një simbol shprese. I lindur në një qytet të vogël si Gondomar, ai nisi rrugën e tij në futboll duke paguar 20 euro në muaj për të luajtur me një ekip të kategorisë së tretë, shpesh i anashkaluar nga klubet e mëdha për shkak të përmasave trupore.
Besimi i palëkundur në veten e tij e çoi fillimisht te Paços de Ferreira, më pas te Porto, Wolverhampton dhe në fund te Liverpool – një nga klubet më të mëdha në botë. Ishte një rrugë e gjatë dhe shpeshherë e vështirë, por Jota gjithmonë e dinte ku po shkonte.
Ai ishte një ndër të paktët futbollistë elitarë portugezë që nuk kishte kaluar në akademitë e Benfica-s, Sporting-ut apo Porto-s, por gjithsesi arriti majat. Ish-koordinatori i tij në Paços, Gilberto Andrade, kujton: “Ajo që e dallonte ishte forca mendore. Ai e kuptoi shumë shpejt çfarë do të thoshte të ishe profesionist – dhe e përqafoi atë rol plotësisht.”
Përkushtimi i tij ishte aq i madh sa edhe kur skuadrat e mëdha nisën ta kërkonin, Jota zgjodhi të qëndrojë në konviktin e klubit, me lojtarët e rinj e ata në provë. Ishte i vetmi futbollist i ekipit të parë që banonte atje – i përqendruar vetëm te puna.