Dalin në pah detaje të reja mbi aksidentin që i kushtoi jetën sulmuesit të Liverpool Diogo Jota dhe vëllait të tij André Silva, edhe ai futbollist.
Dy vëllezërit, të dy futbollistë profesionistë, po udhëtonin me një Lamborghini Huracán me qira, kur mjeti doli nga rruga dhe shpërtheu në flakë në autostradën A-52, pranë zonës Cernadilla, në provincën e Zamorës.
Sipas autoriteteve spanjolle, automjeti po lëvizte me shpejtësi të lartë, kur gjatë një manovre parakalimi në një segment të njohur për asfaltin e dëmtuar, shpërtheu një gomë e pasme, duke bërë që makina të humbte kontrollin, të përplasej dhe më pas të përfshihej nga flakët. Mjeti i fuqishëm, që kishte rrota të pasme aktive, nuk arriti të ndalonte në kohë, ndërsa pamjet e tmerrit janë konfirmuar edhe nga ekipet hetimore të Guardia Civil.
Udhëtimi me makinë pas ndërhyrjes në mushkëri
Detajet që kanë dalë në dritë pas aksidentit e bëjnë ngjarjen edhe më dramatike. Diogo Jota i ishte nënshtruar së fundmi një ndërhyrjeje kirurgjikale në mushkëri, dhe për këtë arsye mjekët i kishin ndaluar fluturimin me avion për të shmangur rreziqet që lidhen me presionin e gjakut gjatë fluturimit. Ai kishte zgjedhur të udhëtonte me makinë drejt Santanderit, nga ku do të merrte tragetin e orës 16:00 për në Portsmouth të Anglisë, për të vazhduar më pas drejt Liverpoolit.
Së bashku me të ishte edhe vëllai i tij, André Silva, gjithashtu futbollist, me të cilin kishin planifikuar të ndaleshin për një natë në Benavente, një orë e gjysmë larg vendit të aksidentit. Nga atje do të udhëtonin të nesërmen drejt Anglisë, ku Jota do të rikthehej në stërvitje me ekipin e tij të Liverpoolit të martën.