Mjekja Andrea L. (54-vjeçe), e cila i ka lëshuar Granit Xhakës certifikatën e diskutueshme të vaksinimit kundër COVID-19, ka deklaruar se futbollisti në të vërtetë është vaksinuar.
“E kam vaksinuar Xhakën siç duhet”, ka thënë ajo për “Blick”, duke këmbëngulur se certifikata e lëshuar prej saj është e vërtetë.
Deklarata e saj vjen pasi Xhaka pranoi të hënën se kishte blerë një konfirmim vaksinimi.
“Ndjeja një mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha i mbushur me frikë dhe pasiguri. Në këtë gjendje të trazuar emocionale, bleva një konfirmim vaksinimi, në vend që t’i sqaroja pyetjet e mia të hapura në mënyrën e paraparë. Sot e shoh qartë se kjo rrugë nuk ishte e duhura. Ishte gabim. Më vjen keq për këtë”, deklaroi Xhaka.
Sipas mjekes, Xhaka ishte infektuar me COVID-19 në fillim të vitit 2021 dhe kishte antitrupa. Për këtë arsye, sipas saj, vaksinimi i parë ishte paraparë si dozë përforcuese dhe vetëm një dozë ishte e nevojshme.
“Granit Xhaka na është drejtuar në fillim të vitit 2022 për të marrë një certifikatë COVID-i”, ka thënë mjekja.
Ajo shtoi se “meqë ai tashmë kishte antitrupa, vaksinimi i parë ishte paraparë si dozë përforcuese”.
