Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, foli pas humbjes 2-1 ndaj Polonisë në Varshavë teksa u shpreh se ndihet i trishtuar për rezultatin, por njëkohësisht krenar për paraqitjen e skuadrës.
Ai theksoi se Shqipëria zhvilloi një ndeshje të barabartë ndaj një kundërshtari të fortë dhe me përvojë në arenën ndërkombëtare.
“Jam shumë i trishtuar brenda, nuk dua të humbas. Por është futbolli, mund të ndodhë gjithçka. Kemi bërë ndeshjen tonë dhe kemi luajtur si të barabartë ndaj një skuadre të rëndësishme si Polonia. Jam krenar për djemtë”, u shpreh ai.
Sylvinho theksoi se skuadra përgatitet në mënyrë profesionale dhe se në fushë aktivizohen lojtarët që ai i konsideron më të mirët. Ai nënvizoi se golat e pësuar erdhën nga lojtarë të nivelit të lartë si Robert Lewandowski dhe Piotr Zielinski.
Trajneri u ndal edhe te mundësitë e humbura, duke pranuar se ekipi kishte shanse për të mbyllur ndeshjen. “Shënuam, kishim mundësi të tjera për gol. Edhe pas ndërrimeve patëm raste. Ky është futbolli”, tha ai.
Duke folur për të ardhmen, Sylvinho theksoi se fokusi i tij mbetet te ndeshja e radhës.
