Interesimi i jashtëzakonshëm i tifozëve për finalen e madhe ndërmjet Kombëtares së Kosovës dhe Kombëtares së Turqisë ka tejkaluar çdo pritshmëri, duke bërë që një numër i madh i të interesuarve të mbeten pa bileta.
Organizatorët kanë shprehur keqardhje të thellë për pamundësinë për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave, të cilat kanë arritur në dhjetëra mijëra. Sipas tyre, kapacitetet aktuale të tribunave janë të kufizuara dhe nuk mund të zgjerohen përtej mundësive ekzistuese.
“Na vjen sinqerisht keq për secilin tifoz që dëshironte të ishte pjesë e kësaj ngjarjeje madhore, por që nuk arriti të sigurojë një biletë. Kemi bërë maksimumin brenda përgjegjësive tona,” thuhet në reagimin zyrtar.
Organizatorët kanë bërë të ditur se të gjithë ata që kanë paguar anëtarësimin vjetor i kanë biletat të garantuara. Ata janë udhëzuar që të paraqiten pranë Fan Club-it përkatës duke filluar nga ora 17:30, të pajisur me kartelën e anëtarësimit, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mundësohet hyrja dhe tërheqja e biletave.
