Në ndeshjen e sotme të Bundesliga gjermane mes Eintracht Frankfurt dhe Hamburg SV, tifozët në tribunat e stadiumit kanë zhvilluar homazhe prekëse për të riun kosovar Sofian Podvorica, i cili humbi jetën ditë më parë në një aksident trafiku në Gjermani.
25-vjeçari, me prejardhje nga Podujevë, u varros të premten në fshatin Dumosh, ku në ceremoninë mortore morën pjesë qindra qytetarë, familjarë dhe miq. Shumë prej tyre kishin udhëtuar nga Gjermania për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Atmosfera në stadium ishte tejet emocionale, pasi tifozët e Frankfurtit – qyteti ku Sofiani ishte lindur dhe rritur – shpalosën një banderolë me mesazhin: “Kurrë nuk do të të harrojmë Sofian, prehu në paqe”, duke dëshmuar lidhjen e fortë që ai kishte me komunitetin atje.
