Një nga vendimet e marra nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit në mbledhjen e fundit lidhet me investimet në infrastrukturë, në kuadër të përgatitjeve për finalet e Kampionatit Evropian U-21 2027, që do të zhvillohen në Shqipëri.
Sipas njoftimit zyrtar, Komiteti Ekzekutiv miratoi kërkesën e Komisionit të Infrastrukturës për ndryshimin e tapetit të stadiumit “Air Albania”, si dhe ndërhyrjen në bazament, me qëllim përmbushjen e standardeve më të larta të kërkuara nga UEFA për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe finaleve të këtij kompeticioni.
Në të njëjtën linjë, Komiteti miratoi edhe projektin e paraqitur nga FK Partizani, që parashikon zëvendësimin e tapetit ekzistues të stadiumit, si dhe ndërtimin e dy fushave të reja stërvitore, në funksion të këtij eventi madhor.
